e shtunë 16 tetor 2021
e shtunë 16 tetor 2021

 

Këshilli i Bashkësisë Fetare Islame, i njohur si “Rijaset” në Maqedoninë e Veriut, shkarkoi kryetarin e Bashkësisë Islame, Sulejman Rexhepi. Duke folur në emër të Këshillit, myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu u tha të mërkurën gazetarëve se dy të tretat e anëtarëve të ‘Rijasetit’ votuan për shkarkimim e zotit Rexhepi.

 

Këshilli, që është organi më i lartë i BFI-së, konstatoi se zoti Rexhepi shkarkohet në bazë të Nenit 58 të Kushtetutës së BFI-së. Ky nen thotë, mes të tjerash se kreu i komunitetit “mund të shkarkohet në rastet kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI-së, nëse punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI-së, apo nëse keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së”.

 

Deri në zgjedhjen e kreut të ri, komunitetin do ta drejtojë myftiu aktual i Gostivarit, Shaqir Fetahu. Ky i fundit është njohur si bashkëpunëtor prej shumë vitesh i kryetarit te shkarkuar Rexhepi.

 

Kohët e fundit ish-kryetari i BFI-së Rexhepi ka qenë në lajme për dy njoftime që kanë tërhequr vemendjen: disa portale njoftuan se zoti Rexhepi kishte tërhequr para disa ditësh 1 milion euro nga llogaria bankare e BFI-së në një bankë të Shkupit. Por, zyra e tij i mohoi shkrimet duke bërë të ditur se bëhet fjalë jo për tërheqje, por për depozitim fondesh nga Ministria e Financave për një procedurë denacionalizimi dhe se shumat janë përdorur për pagesën e rrogave të të punësuarve në BFI. “Kjo ka ndodhur para një viti dhe jo tash, siç shkruajnë mediat”, nënvizon zyra e zotit Sulejman Rexhepi.

 

Lajmi tjetër kishte të bënte me martesën e 74 vjeçarit Rexhepi para pak ditësh me një grua 25 vjeçare, pasi kishte humbur bashkëshorten katër vjet më parë.

 

Megjithatë, nuk është e qartë nëse motivet për shkarkimin e tij kanë të bëjnë me këto dy zhvillime.

 

Rijaseti i BFI-së përbëhet nga 18 anëtarë, prej tyre 14 myfti nga qytete të ndryshme, dy anëtarë të zgjedhur nga kreu i deritashëm dhe dy të tjerë janë drejtorë të Medresesë dhe Fakultetit të shkencave Islame në Shkup.

 

Ish-kreu i BFI-së Rexhepi njihet për deklaratat kontraverse, teksa së fundmi, pas faljes së Bajramit të dielën në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, e shpalli “koronavirusin të vdekur” në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai më herët kishte kërcënuar më shumë se një herë pushtetin se do të pengonte besimtarët të dilnin në zgjedhje politike, raporton voa.

 

Zoti Rexhepi e drejtoi BFI-në menjëherë pas pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991.

28 maj 2020

Më shumë

20-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit u bë i mundur pas luftës së armatosur të vitit 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.   Qeveria e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me programin për ndërtimin e paqes dhe të drejtat e njeriut në Universitetin Columbia organizoi panelin ndërkombëtar “Përtej Ohrit”.   Në panelin ndërkombëtar […]

Debatet rreth censusit në Maqedoninë e Veriut

Procesi i regjistrimit të popullsisë që po mbahet për diasporën e Maqedonisë së Veriut ka mobilizuar edhe faktorët politikë me thirrjet për t’u regjistruar, ndërsa opozita maqedonase po bën thirrje për shtyrjen e procesit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Deri më tani janë regjistruar mbi 150 mijë qytetarë me origjinë nga Maqedonia e […]

1 vjetori i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO

Maqedonia e Veriut po shënon 1 vjetorin e anëtarësimit në NATO. Me këtë rast, në një ceremoni që u mbajt në një kazermë të Shkupit, tre aeroplanë ushtarakë të Aleancës fluturuan mbi kryeqytetin e vendit, ndërsa pjesëtarë të ushtrisë së Maqedonisë së Veriut shfaqën pjesë të stërvitjeve para krerëve të institucioneve më të larta […]

RMV, deri sot janë regjistruar rreth 150.000 persona nga diaspora

Deri në orën 8 të këtij mëngjesi, përmes ueb-aplikacionit për vetë-regjistrim janë evidentuar 148.719 persona të regjistruar nga diaspora, informoi Enti Shtetëror i Statistikave. Si edhe deri më tani, shumica e emigrantëve të regjistruar nga vendi janë nga Zvicra, Gjermania dhe Italia, ndërsa numri i personave të regjistruar është shumë më i ulët […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara