e diel 18 prill 2021
e diel 18 prill 2021

 

Udhëheqësit e Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti finalizuan të martën marrëveshjen për koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve të 15 korrikut.

 

Zoti Zaev do të jetë kryeministër për pothuajse gjithë mandatin, por sipas marrëveshjes në njëqind-ditëshin e fundit, posti i kreut të qeverisë do t’i lihet partisë shqiptare. Kryetari i parlamentit do të jetë nga radhët e BDI-së. Talat Xhaferi do të vazhdojë të qëndrojë në krye të legjislativit.

 

As zoti Zaev as zotit Ahmeti nuk dhanë hollësi të tjera lidhur me ndarjen e ministrive të rëndësishme, si ajo e Rendit, e Financave apo e Mbrojtjes.

 

Ata thanë në një konferencë të përbashkët shtypi se marrëveshja u arrit përmes një veprimi të guximshëm të të dyja palëve.

 

Socialdemokrati Zaev tha se “marrëveshja e koalicionit për krijimin e shumicës parlamentare, për ndarjen e përgjegjësive, përbërjen dhe parimet e qeverisë së re me mandat të plotë do t’i përkushtohet në katër vitet e ardhshme interesit të qytetarëve dhe të shtetit”. Ai shtoi se marrëveshja do të kalojë sonte dhe nesër në organet më të larta të të dy partive siç janë Këshillat Qendrorë për t’u miratuar, raporton voa.

 

Edhe Partia Demokratike Shqiptare do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës si dhe Lëvizja Besa që doli në zgjedhje bashkë me LSDM-në.

 

Zoti Zaev shprehu mirënjohje për ate që e cilësoi: “madhështi, durim e mençuri” nga ana e zotit Ahmeti për këtë marrëveshje.

 

Zoti Ahmeti tha se është shumë i bindur se ky vendim i marrë sot do të mirëpritet nga çdo qytetar i vendit dhe nga partnerët që kanë ndihmuar shtetin në rrugën e tij drejt integrimit euro-atlantik. Ai iu shmang pyetjeve lidhur me tërheqjen nga këmbëngulja e deritashme për një kryeministër shqiptar, ndërsa tha se deri tani shqiptarët në qeveri kanë dëshmuar forcimin e besimit mes komuniteteve.

 

“Çështja e kryeministrit ka qenë dhe mbetet një porosi që afron dhe që komuniteti shqiptar të dëshmojë për një republikë më të fortë dhe më të qëndrueshme me qytetarë të bashkuar”, tha Ahmeti. Ai e quajti të guximshëm vendimin e zotit Zaev që në njëqind ditët e fundit vendin t’ia lërë në dorë një përfaqësuesi të BDI-së.

 

Marrëveshja u arrit në kuadër të afatit prej 20 ditësh nga seanca hapëse e parlamentit.

 

Lidhja Social Demokrate me katër deputetët e Lëvizjes Besa ka 46 vende dhe me 15 deputetët e BDI-së përbëjnë shumicën e nevojshme prej 61 votash në parlament për ta miratuar kabinetin e ri qeveritar, ndërkohë që koalicionit i bashkohet edhe deputeti i vetëm i Partisë Demokratike Shqiptare.

 

Social-demokrati Zoran Zaev ka paralajmëruar qysh në fushatë se do ta zvogëlonte numrin e anëtarëve në kabinet duke hequr shtatë ministrat pa portofol.

 

Ndërkohë edhe sot kanë vazhduar përplasjet midis BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët. BDI-ja akuzon këtë të fundit për mungesën e dinjitetit dhe përpjekjet për minimin e bisedimeve për qeverinë “duke u endur korridoreve të LSDM-së dhe VMRO-së me lutje për mosrealizimin e kërkesave të shqiptarëve”, siç thuhet në një komunikatë.

 

Nga ana tjetër “Aleanca” kërkonte nga BDI-ja që të kalojë në opozitë për shkak se nuk arriti ta realizojë premtimin për “kryeministrin e parë shqiptar” në Maqedoninë e Veriut, që ishte një mashtrim, sipas saj, i elektoratit shqiptar.

 

Sidoqoftë, qeverinë e re e presin shumë sfida, si ballafaqimi me pandeminë e koronavirusit, lufta kundër korrupsionit, bisedimet me Bashkimin Evropian dhe reformat në gjyqësor.

 

LSDM-ja dhe BDI-ja pritet të vazhdojnë edhe realizimin e një sërë premtimesh që nga mandati i kaluar, siç është vetingu i politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve të larta, apo pastrimi, siç e quan z. Zaev i radhëve të prokurorëve dhe gjykatësve nga të korruptuarit, e më pas regjistrimi i popullsisë e reforma të tjera.

 

Më shumë

Maqedoni e Veriut: Fillon regjistrimi i diasporës

Nis fushata e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Etapa e parë për regjistrimin e diasporës dhe nga 1 deri më 21 prill procesi mbyllet me regjistrimet në vend.   Në Maqedoninë e Veriut ka filluar regjistrimit i popullsisë përkatësisht i personave që aktualisht jetojnë jashtë vendit, diplomatëve, ata që janë në vuajtjen […]

Shkup: Miratohet ligji i diskutueshëm për regjistrimin e popullsisë

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. Votave të shumicës parlamentare iu bashkangjitën edhe votat e opozitës shqiptare që ishin vendimtare për kalimin e tij.     Parlamenti i Maqedonisë së Veriut me 62 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim” dhe me miratoi Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. […]

Terminali doganor në Bllatë RMV-Shqipëri, vlerësohet i panevojshëm nga autoritetet

Mungesa e një terminali doganor në Bllatë, vend kufitar Shqipëri-Maqedoni e Veriut, i detyron qytetarët e Dibrës të udhëtojnë gati 100 kilometra për të bërë zhdoganimin e mallrave. Përderisa biznesmenët me vite të tëra këmbëngulin se një terminal doganor është jetik për tregtinë e lirë dhe zhvillimin ekonomik të qytetit të tyre por edhe […]

Vazhdon debati për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Projektligji për regjistrimin e popullsisë, familjeve dhe apartamenteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2021, pas një procedure të shkurtuar, dje ishte në fokusin e partive. Deputetët filluan debatin për këtë projektligj dhe debati do të vazhdojë sot në mesditë, kur është caktuar vazhdimi i seancës së 29-të.   Ky projektligj u shpjegua nga […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara