e shtunë 4 dhjetor 2021
e shtunë 4 dhjetor 2021

 

INFOCIP dhe aktorët më të spikatur të shoqërisë civile u mlbodhën dje në Tryezën e Tretë Kombëtare.

Tashmë në Kuvend është depozituar pr.ligji për referendumet i cili u kthen shqiptarëve instrumentin e mohuar të Demokracisë Direkte.

 

Mungesa e këtij ligji të tillë për 20 vjet, thanë ata, u ka mohuar qytetarëve shqiptarë një nga të drejtat themelore për t’u shprehur me referendum për çështje me rëndësi kombëtare dhe rajonale.

 

Organizatat e shoqërisë civile i propozuan parlamentit një projekt-ligj mbi referendumet, i cili mungon ende sot 22 vjet pas miratimit të Kushtetutës së Shqipërisë.

 

Përfaqësues të këtyre organizatave zhvilluan një takim, nga i cili kërkuan parlamentit të miratojë sa më parë projektligjin e tyre, në mënyrë që qytetarët të pyeten herë pas here në nivel kombëtar dhe vendor për temat më të rëndësishme të jetës së tyre.

 

Ata kanë dorëzuar në parlament një projekt-ligj për referendumet, i cili është futur në procedurat parlamentare.

 

“Edhe pse vetë Kushtetuta e Shqipërisë u miratua me Referendum në vitin 1998, asnjë referendum për të aprovuar (ose jo) ndryshimet e saj të mëvoshme nuk është thirrur nga Kuvendi. Populli që miratoi me referendum Kushtetutën e tij, sot nuk lejohet që ta prekë më atë. Ajo është bërë de-jure pronë ekskluzive e politikanëve. E drejta për referendum garantohet nga Kushtetuta e Shqipërisë si formë e ushtrimit të drejtpërdrejtë të vendimarrjes demokratike. Sipas nenit 2, pika 2 të Kushtetutës “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”. Vendimarrja direkte nuk ka hyrë asnjëherë në veprim që nga koha e miratimit të vetë Kushtetutës, duke krijuar një deficit demokratik në Republikën e Shqipërisë” – theksoi drejtuesi i Qendrës Studimore INFOÇIP, Gert Shella.

 

Shoqëria civile ka kërkuar vazhdimisht referendum për ndotjen e mjedisit dhe probleme të tjera, por në të gjitha rastet ka dështuar, sepse mungon një ligj për referendumet, çka është sipas tyre një mungesë e madhe e lirive dhe të drejtave njerëzore.

 

Ata pohuan se është paradoksale që në 30 vjet demokraci Shqipëria nuk ka zhvilluar asnjë referendum vendor as për shqetësime të kufizuara krahinore.

 

Në tryezën e shoqërisë civile mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. “Asgjë e qëndrueshme dhe themelore nuk do të arrihet në demokracinë shqiptare pa miratuar dhe zbatuar ligjin për referendumet. Qëllimisht politika ka përdorur shumë marifete për të penguar referendumet dhe për t’i pamundësuar ato” – tha presidenti Meta.

 

Projekt-ligji parashikon zhvillimin e referendumeve vendore, rajonale dhe kombëtare me nisma nga qytetarët tek institucionet dhe në kahjen e kundërt nga institucionet tek publiku.

 

“Përveç mungesës së vullnetit për të aktivizuar mekanizmin demokratik referendar, pjesë e problemit është mungesa e një ligji për Referendumet në Republikën e Shqipërisë. Në nenin 150, paragrafi 3, Kushtetetuta përcakton se: “Parimetdhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj”. Kushtetutëbërësi e ka renditur këtë instrument legjislativ në kategorinë e ligjeve që miratohen me 3/5 e gjithë anëtarëve të Kuvendit (neni 81 i Kushtetutës). Deri sot, në vitin 2020, Kuvendi ka miratuar thuajse çdo ligj që parashikohet në nenin 81 të Kushtetutës, përveç Ligjit për Referendumet. Rrjedhimisht, detyrat që Kushtetuta i ka caktuar nuk janë bërë nga Kuvendi. Të gjendur përballë këtyre rrethanave, grupimet më të fuqishme të shoqërisë civile u bënë bashkë në vitin 2016 për të marrë Nismën Kombëtare për Referendumet” – thuhet në Promemorien që veprimtarët e shoqërisë civile i dërguan Parlamentit.

 

Në afro 30 vjet demokraci pas diktaturës komuniste gjysmë shekullore Shqipëria ka zhvilluar vetëm dy referendume; një në vitin 1994, kur u rrëzua një projekt-Kushtetutë dhe një tjetër në vitin 1998, ku u miratua Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

 

Pas kësaj fjala “refendum” është dëgjuar pa ndonjë rezultat vetëm në protestat e shoqërisë civile për çështje nga më të ndryshmet.

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara