Sunday 24 September 2023
Sunday 24 September 2023

Shqipëria ka funksionuar si demokraci parlamentare pluraliste që nga zgjedhjet e pranverës së vitit 1991.Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE) dërgoi për herë të parë vëzhgues në këto zgjedhje. Në vijim të konkluzioneve të misionit vëzhgues, si dhe të zhvillimeve të mëvonshme politike, parlamentit shqiptar ju dha statusi i “të ftuarit të veçantë” në Asamblenë Parlamentare të KiE, më 25 nëntor 1991.

 

Që nga prilli i vitit 1991 e deri në shtator të vitit 1993 u ndërtua kuadri ligjor për zhvillimin e demokracisë me anë të tetë ligjeve të një karakteri kushtetues. Këto ligje siguruan ndërtimin e një Republike parlamentare dhe hodhën themelet për ndarjen e pushteteve. Po kështu, ligjet përmbanin një listë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, pas konsultimeve me ekspertë ndërkombëtarë.

 

Më 4 maj 1992, Shqipëria bëri kërkesë për të hyrë në KiE. Me anë të Rezolutës (92)9, të datës 21 maj 1992, Komiteti i Ministrave i kërkoi Asamblesë Parlamentare të jepte një opinion në përputhje me Rezolutën e Statutit (51) 30 A.

 

Duke filluar nga maji i vitit 1992, Komitetet e Asamblesë dhe Raportuesit e tyre zhvilluan disa vizita të njëpasnjëshme në vend. Në janar 1993 filloi zbatimi i një programi bashkëpunimi i organizuar nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës në fushat e të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës. Për më tepër, ndihma ishte e orientuar edhe në hartimin e kodeve civile dhe penale, si dhe të kodeve të tyre përkatëse të procedurave. Në 23 mars 1995 u arrit një marrëveshje për një Komision të ri të përbashkët midis Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës, lidhur me një program tjetër të përbashkët për reformën në sistemin ligjor.

 

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vlerësoi se Shqipëria, në kuptimin e Nenit 4 të Statutit, ishte në gjendje dhe e gatshme të përmbushë kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sikurse përcaktohen në Nenin 3: ”Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e shtetit të së drejtës dhe parimin se çdo person nën juridiksionin e tij gëzon të njëjtat të drejta njerëzore dhe liri themelore, dhe të bashkëpunojë sinqerisht dhe efektivisht për realizimin e qëllimeve të tij.

 

Duke nënkuptuar se Shqipëria i interpreton njëlloj me të angazhimet që ka marrë ashtu sikurse përcaktohen në paragrafët 13 dhe 16 të Statutit, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës shprehu një Opinion të favorshëm në vitin 1995, për pranimin e kërkesës për anëtarësim nga ana e Shqipërisë.

 

Të trembëdhjetë pikat e Opinionit 189 (1995) të Asamblesë Parlamentare përbëjnë bazën e detyrimeve dhe angazhimeve të ndërmarra nga shteti shqiptar në kuadër të anëtarësimit në KiE. Deri më sot Shqipëria ka përmbushur pothuajse të gjitha këto angazhime.

 

 

Kryesimi nga Shqipëria i Komitetit të Ministrave të KiE-së (23 maj – 9 nëntor 2012)

Republika e Shqipërisë kryesoi Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për herë të parë, që prej anëtarësimit të saj, në 6-mujorin e dytë të vitit 2012 (23 maj – 9 nëntor). Për të mbështetur dhe promovuar vlerat themelore të organizatës, Kryesia shqiptare u përqendrua në prioritetet e mëposhtme:

  • Promovimi i shoqërive demokratike të qëndrueshme;
  • Forcimi i demokracisë në nivel lokal dhe rajonal;
  • Forcimi i shtetit të së drejtës në Evropë;
  • Vazhdimi i reformës politike të organizatës;
  • Garantimi i funksionimit afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
  • Garantimi i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut;
  • Stimulimi i dialogut në nivel ndërinstitucional dhe në nivel organizatash ndërkombëtare.

 

Moto e kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave ishte “Të bashkuar në diversitet”, duke e parë diversitetin si një aset të rëndësishëm të shoqërive demokratike evropiane, çka reflekton njëkohësisht edhe një vlerë tradicionale shqiptare.

 

 

Dokumenti Programatik i Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës

Dokumenti Programatik i Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës është një instrument strategjik dhe sektorial që parashikon një bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe bashkëkohor dhe synon të mbështesë vendin në përmbushjen e detyrimeve të tij në përputhje me standardet evropiane në fushën e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Fushat kryesore në dokument përfshijnë prioritetet politike të vendit (duke përfshirë kriteret për anëtarësim në BE), standardet dhe rekomandimet e organeve monitoruese të KiE-s, si dhe përvojën e mëparshme të zbatimit të programeve të bashkëpunimit midis KiE-s dhe Shqipërisë.

 

Dokumenti i Bashkëpunimit mbështetej në këto fusha veprimi:

  • Drejtësia;
  • Lufta kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar;
  • Liria e shprehjes dhe shoqëria e informacionit;
  • Anti-diskriminimi, respektimi i të drejtave të njeriut dhe përfshirja sociale;
  • Qeverisja demokratike dhe pjesëmarrja.

 

Dokumenti i parë i Bashkëpunimit mbuloi periudhën 2012-2014 dhe i dyti periudhën 2015-2017.

 

Programi i Përbashkët BE/KiE “Horizontal Facility për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”

 

Instrumenti “Horizontal Facility” për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë është një nismë bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe KiE-s për Evropën Juglindore. Ai është një nga rezultatet e Deklaratës së Qëllimit të nënshkruar më 1 prill 2014 nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, në të cilën të dy organizatat ranë dakord të forcojnë më tej bashkëpunimin e tyre me vendet përfituese në fushat kyçe me interes të përbashkët.

 

“Horizontal Facility” po zbatohet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni, Kosovë dhe Turqi, në dy faza (2016-2019 dhe 2019-2021).

 

“Horizontal Facility I” është një program tre-vjeçar, i cili zbatohet nga Këshilli i Evropës nga maji i vitit 2016, përgjatë një periudhe prej 36 muajsh. Buxheti i tij arrin në 25 milionë euro (80% të financuara nga BE, 20% nga KiE ). Nëpërmjet këtij instrumenti BE dhe KiE do të ndihmojnë përfituesit në Evropën Juglindore që të jenë në përputhje me standardet e KiE-së dhe acquis të BE në kuadër të procesit të zgjerimit.

 

Temat që mbulohen nga ky instrument përfshijnë:

  • Sigurimin e drejtësisë;
  • Luftën kundër krimit ekonomik;
  • Luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve vulnerabël (duke përfshirë LGBTI, pakicat dhe veçanërisht romët).

 

Faza e dytë e programit me vlerë 41 milion për periudhën 2019-2022 vazhdon të ndërtojë rezultatet e fazës I dhe zgjeron fushat tematike me tema të reja thelbësore për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, siç janë liria e shprehjes dhe media.

 

Instrumenti i Horizontal Facility krijon mundësinë për vendin për arritjen e standardeve në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë brenda kuadrit të procesit të zgjerimit të BE-së. Instrumenti Horizontal Facility mbështetet në metodat unike të punës të Këshillit të Evropës, ku aktivitete të bashkëpunimit teknik të përshtatura, bazuar në konkluzionet dhe rekomandimet e organeve monitoruese të Këshillit të Evropës, nxjerrin në pah fushat ku nevojiten përmirësime në legjislacionin dhe politikat e përfituesve për t’u linjëzuar me traktatet e Organizatës dhe standardet e tjera.

 

Temat e mbuluara përfshijnë:

  • sigurimi i drejtësisë;
  • lufta ndaj krimit ekonomik;
  • lufta ndaj diskriminimit dhe mbrojtja e të drejtave të grupeve të cenueshme (përfshirë LGBTI, pakicat kombëtare, si dhe romët dhe egjiptianët);
  • liria e shprehjes dhe liria e mediave;
  • çështjet kushtetuese, që janë në fushën e kompetencave të Komisionit Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias).

 

Gjatë fazës së parë u zbatuan shtatë programe specifike për Shqipërinë, me një buxhet të përgjithshëm prej 4,75 milion Euro përkatësisht:

  • Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të burgjeve;
  • Mbështetja e mjeteve juridike efektive të brendshme për të parandaluar shkeljet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
  • Forcimi i cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve gjyqësore;
  • Lufta ndaj krimit ekonomik;
  • Lufta ndaj ngacmimit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor;
  • Forcimi i mbrojtjes së personave që u përkasin pakicave kombëtare;
  • Parandalimi dhe luftimi i diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

 

Të gjitha aktivitetet e instrumentit të Horizontal Facility adresojnë çështje të rëndësishme, siç janë integrimi gjinor, mbrojtja e minoriteteve dhe grupeve të cënueshme dhe parashikojnë angazhimin e organizatave të shoqërisë civile në zbatimin e instrumentit.

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara