e enjte 9 dhjetor 2021
e enjte 9 dhjetor 2021

 

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) u krijua në vitin 1950, pas pasojave të Luftës së Dytë Botërore për të ndihmuar miliona evropianë që kishin ikur ose humbur shtëpitë e tyre. Ndërsa krizat humanitare janë bërë gjithnjë e më komplekse, UNHCR ka zgjeruar numrin dhe llojin e organizatave me të cilat punon. UNHCR gjithashtu është e përkushtuar të bashkëpunojë ngushtësisht me agjencitë e tjera përmes nismës “Delivering as one”, e cila synon të përmirësojë veprimet bashkëpunuese të Kombeve të Bashkuara në fushat e zhvillimit, ndihmës humanitare dhe mjedisit. Për më tepër, UNHCR përqafoi të ashtuquajturën nismën e emergjencave ndaj personave të zhvendosur nga vendbanimet e tyre, në të cilën agjenci të ndryshme marrin drejtimin në fushën e tyre të ekspertizës, ndërkohë punojnë së bashku për të ndihmuar njerëzit në nevojë. UNHCR merr drejtimin në mbrojtjen, strehimin, koordinimin dhe menaxhimin e kampeve. UNHCR pranon se përpjekjet për të mbrojtur refugjatët nuk mund të ndiqen në izolim nga tendencat, politikat dhe praktikat më të gjera që formojnë lëvizjen globale dhe gjithashtu pranon se azilkërkuesit, refugjatët dhe personat pa shtetësi – preken drejtpërdrejt nga politikat dhe proceset e migracionit, veçanërisht kur ata përfshihen në lëvizje të përziera.

Prandaj UNHCR përpiqet të angazhohet me çështjet e migracionit që prekin refugjatët dhe personatë tjerë nën mandatin e tij, si azilkërkuesit, personat e zhvendosur brenda vendit dhe njerëzit pa shtetësi. Në rrethana të caktuara, Asambleja e Përgjithshme i ka kërkuar UNHCR të kontribuojë me ekspertizë për proceset që kanë të bëjnë me migracionin. Duke pasur parasysh këtë, UNHCR përqendrohet gjerësisht në:

  • Sigurimin që politikat, praktikat dhe debatet e menaxhimit të migracionit të marrin parasysh nevojat e veçanta të mbrojtjes së azilkërkuesve, refugjatëve dhe personave pa shtetësi si dhe të pranojnë kornizën ligjore që ekziston për t’i përmbushur ato;
  • Ndihmesën e shteteve dhe partnerëve për të përmbushur sfidat e menaxhimit të azilit dhe migracionit në një mënyrë të ndjeshme ndaj shqetësimeve të mbrojtjes;
  • Identifikimin e migracionit, trafikimit dhe zhvillimeve të lidhura me personat nën mandatin e UNHCR;
  • Mbështetjen e qeverisjes dhe respektimit të karakterit universal të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e të gjithë personave në lëvizje, pavarësisht nga statusi i tyre juridik, në mënyrë që të forcohen parimet dhe praktika ndërkombëtare e mbrojtjes së refugjatëve.

Për të mbështetur këto synime, UNHCR mbledh dhe analizon të dhënat dhe trendet, zhvillon politika dhe udhëzime, zbaton programe dhe siguron mbështetje operacionale për qeveritë dhe palët e tjera të interesuara për lëvizjet e përziera dhe çështjet e lidhura me të, siç është trafikimi i personave dhe mbrojtja në det.

Në Shqipëri UNHCR bashkëpunon ngushtë me Drejtorinë e Policisë për Azilin dhe Migracionit për të forcuar aksesin ndaj azilit dhe sigurimin e masave mbrojtëse gjatë procedurave të përcaktimit të statusit, veçanërisht qasjen në informacion dhe përfaqësimin ligjor. Qasja në territor dhe azil, lëshimi i dokumentacionit dhe hartimi i një plani kombëtar veprimi për azilin, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të BE-së, janë përparësitë e mbrojtjes së zyrës.

UNHCR po mban një prezencë të shtuar në kufirin jugor, direkt dhe përmes partnerëve, për të forcuar aftësinë e saj në monitorimin e kufijve, promovimin e koordinimit të aktorëve përkatës në nivelin lokal dhe kombëtar dhe përmirësimin e identifikimit dhe referimit të personave me nevoja specifike në kontekstin e mbërritjeve të përziera të migrantëve dhe refugjatëve.

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara