Saturday 30 September 2023
Saturday 30 September 2023

 

Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) është një prej agjencive të specializuara të OKB-ës, e cila është krijuar në vitin 1945. Qëllimi i saj është të kontribuojë në mbarëvajtjen e paqes dhe sigurisë duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushat e edukimit, shkencës, kulturës dhe komunikimit, duke nxitur respektin për drejtësinë universale, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe të drejtat themelore të proklamuara në Kartën e OKB-ës. Është pasardhësi i Komisionit Ndërkombëtarë për Bashkëpunimin Intelektual të Ligës së Kombeve.

 

Vizioni i themelimit të UNESCO-s lindi në përgjigje të një bote e cila ishte e karakterizuar nga racizmi, dhuna dhe antisemitizmi. Edhe mbas shtatëdhjetë vjetësh si dhe pas shumë përpjekjesh çliruese, mandati i UNESCO-s është më i rëndësishëm se kurrë. Diversiteti kulturor është nën sulm dhe format e reja të intolerancës, refuzimi i fakteve shkencore dhe kërcënimet ndaj lirisë së shprehjes sfidojnë paqen dhe të drejtat e njeriut. Si kundërpërgjigje, detyra e UNESCO-s mbetet të riafirmojë misionet humaniste të arsimit, shkencës dhe kulturës.

 

Marrëdhëniet e Shqipërisë  me UNESCO-n janë afatgjata dhe produktive. Që prej anëtarësimit të Shqipërisë në vitin 1958, fryma e bashkëpunimit ka qenë frutdhënës dhe konstante në nivel global në të gjitha fushat e kompetencës së UNESCO-s. Megjithatë, duhet të theksohet se gjatë viteve 1958 – 1990 bashkëveprimi i Shqipërisë me UNESCO ka qenë mjaft modest dhe, ashtu si në aspektet e tjera të politikës së jashtme, i mbizotëruar nga një vizion mosbesimi të përgjithshëm ndaj multilateralizmit. Mbas vitit 1990, me ndryshimin rrënjësor të regjimit, veprimtaria e Shqipërisë në UNESCO pësoi një transformim dhe që prej asaj kohe është karakterizuar nga një forcim i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndërmjet tyre si dhe ka luajtur një rol më aktiv në promovimin e interesit të Shqipërisë si dhe të rolit të UNESCO-s në arenën ndërkombëtare.

 

Në përputhje me Kushtetutën e UNESCO-s, në vitin 2000 Shqipëria themeloi Komisionin Kombëtar të UNESCO-s, me Ministrin e Arsimit si Kryetarin e tij dhe Sekretarin e Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

 

Shqipëria ka shërbyer tre herë si Anëtar i Bordit Ekzekutiv, struktura më e lartë ekzekutive e organizatës. Në nëntor 2017, gjatë Sesionit të 39-të të Konferencës së Përgjithshme, Shqipëria u zgjodh për një mandat të dytë radhazi si Anëtar i Bordit, i cili e ka mandatin deri në vitin 2021. Gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria është zgjedhur si anëtare në poste drejtuese në komisione të ndryshme, përfshirë këtu edhe Byronë e Këshillit Ekzekutiv. Aktualisht, Shqipëria është bashkë-kryesuese e Grupit të Hapur të Punës për reformimin e Programit Kujtesa e Botës.

 

Edukimi: Edukimi transformon jetë dhe ka një rol kyç në misionin e UNESCO-s për të ruajtur paqen, çrrënjosur varfërinë dhe për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm. UNESCO beson në parimin se edukimi është një e drejtë e njeriut që duhet ta gëzojnë të gjithë dhe të jetë e aksesueshme dhe e një standardi të lartë për këdo. Kjo organizatë është e vetmja agjenci e Kombeve të Bashkuara me një mandat gjithëpërfshirës për çështjen e edukimit. I është besuar të kryesojë Agjendën 2030 mbi Edukimin Global nëpërmjet Objektivit për Zhvillim të Qëndrueshëm 4. UNESCO mundëson një kryesim global dhe rajonal në fushën e edukimit, forcon sistemet e edukimit mbarë botërorë si dhe i përgjigjet sfidave bashkëkohore globale nëpërmjet edukimit me barazinë gjinore si një mjet parësor në këtë nismë.

 

Në vitin 2017, UNESCO së bashku me autoritet shqiptare dhe disa aktorë të tjerë përpiluan Raportin e Zgjeruar mbi Rishikimin e Politikave të Arsimit në Shqipëri, me qëllim mbështetjen e reformës në arsim të vendit tonë në kontekstin e përmbushjes së aspiratave të saj kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Në vitin 2016, u krijua katedra e UNESCO-s mbi multi-kulturalizmin, dialogun ndërkulturor dhe të drejtat e njeriut në Ballkan, në ambientet e Universitetit ‘Marin Barleti’, në Tiranë. Aktualisht 20 shkolla të niveleve të ndryshme në Shqipëri janë të asocuara me UNESCO-n.

 

Trashëgimia Botërore: Në vitin 1992, Shqipëria regjistroi pasurinë e parë kulturore, qytetin e lashtë të Butrintit, në Listën e Trashëgimisë Botërore. Më pas, në këtë listë u regjistrua Qendra Historike e Gjirokastrës (2005) dhe Berati (2008). Në vitin 2017, Shqipëria regjistroi pasurinë e parë mikse kulturore dhe natyrore “Pyjet Ahorë të Rajcës dhe lumit të Gashit”, një pasuri shumëkombëshe e cila përfshin në tërësi 12 vende që bëjnë pjesë në territorin Evropian[1]. Në vitin 2019, në sesionin e 43-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore u vendos të regjistrohet pjesa shqiptare e Liqenit të Ohrit (në ekstension të pjesës së Maqedonisë së veriut, e cila është regjistruar më parë), në Listën e Trashëgimisë Botërore në cilësinë e pasurisë mikse kulturore dhe natyrore. Aktualisht janë pesë pasuri për të cilat po punohet që të regjistrohen në listën e sipërpërmendur: amfiteatri i Durrësit, varret në Selcën e Poshtme, qyteti i lashtë i Apolonisë, Kështjella e Bashtovës dhe qyteti i Bylisit.

 

Trashëgimia Kulturore Jo-materiale (ICH): Shqipëria e konsideron trashëgiminë kulturore jo-materiale si një faktor tepër të rëndësishëm për të siguruar shumëllojshmërinë kulturore në një mjedis në të cilin globalizimi është gjithmonë e më shumë i pranishëm. Të kuptuarit e trashëgiminë kulturore jo-materiale të komuniteteve të ndryshme ndihmon në dialogun ndërkulturor dhe nxit respektin reciprok për mënyrat e ndryshme të të jetuarit.  Rëndësia e trashëgiminë kulturore jo-materiale nuk qëndron në faktin e manifestimit kulturor në vetvete por në lënien trashëgimi të këtyre njohurive dhe aftësive nga njëri brez në tjetrin. Shqipëria është tepër krenare për regjistrimin e elementit të Iso – polifonisë, në vitin 2005, në Listën Përfaqësuese të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Jo-materiale (ICH). Aktualisht Shqipëria po punon që të regjistrojë edhe elementë të tjerë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jo-materiale dhe në këtë kuadër ka paraqitur kandidaturën për regjistrimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, në Listën e Praktikave të Mira. Shqipëria ka shërbyer në Komitetin e ICH-ës për gjatë mandatit për periudhën 2010 – 2014.

 

Programi “Kujtesa Botërore”: Ky program është themeluar në vitin 1992 në kuadër të një ndërgjegjësimi në rritje të gjendjes së jashtëzakonshme të ruajtjes dhe aksesit në trashëgiminë dokumentare në pjesë të ndryshme të botës. Lufta dhe trazirat shoqërore, si dhe mungesa e madhe e burimeve, kanë ndikuar në koleksionet dokumentare në mbarë botën. Plaçkitja dhe shpërndarja, tregtimi i paligjshëm, shkatërrimi, strehimi dhe fondet e pamjaftueshme kanë luajtur gjithashtu një rol negativ. Shumë elementë në këtë fushë janë zhdukur përgjithmonë; shumë të tjerë rrezikohen. Për fat të mirë, trashëgimia dokumentare që mungon ndonjëherë mund edhe të ri-zbulohet përsëri. Regjistri i Kujtesës, dokumenti më i dukshëm publik i Programit, është themeluar dhe është bërë një mjet për të përmirësuar vizibilitetin dhe aksesin në dokumentacion. Shqipëria është krenare që ka përfshirë në Regjistrin e Kujtesës Kodet e purpurta të Beratit “Codex Purpureus Beratinus” në 2005. Një proces rishikimi është duke u zhvilluar për të realizuar një reformë gjithëpërfshirëse të Programit.

 

Rezervat e Biosferës: UNESCO  luan një rol unik në forcimin e mëtejshëm të themeleve të ruajtjes së paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Shqipëria është krenare që ka arritur të regjistrojë në vitin 2014, pasurinë e Rezervës ndërkufitare të Biosferës me Maqedoninë e Veriut, ‘Bazenin e Prespë-Ohrit’.

 

Të Drejtat e Njeriut: Shqipëria i ka kushtuar vëmendje të veçantë mandatit të UNESCO-s në fushën e të drejtave të njeriut. Shqipëria është pjesë e Grupit të Miqve për Mbrojtjen e gazetarëve si dhe në atë të Barazisë Gjinore, për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm nëpërmjet edukimit.  Bashkëpunimi më UNESCO-n shtrihet në shumë fusha të ndryshme, dhe shkon përtej bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe mjedisit, duke cilësuar si një fushë tepër të rëndësishme edukimin. Në këtë kuadër, në vitin 2017, UNESCO në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Rinisë dhe Sportit prezantoi dokumentin me titull “Shqipëria – Analiza e politikës së Edukimit: Problematikat dhe Rekomandimet”. Që prej vitit 2016 Shqipëria bashkëpunon me UNESCO-n në implementimin e projekteve të cilët mundësojnë përfshirjen e edukatës shoqërore në kurrikulat e arsimit, si dhe në ato projekte lidhur me menaxhimin e ujërave dhe emergjencave civile.

 

Shqipëria është anëtarësuar në UNESCO në datë 16 tetor 1958. Në tetor të vitit 2018, Shqipëria kremtoi 60 vjetorin e anëtarësimit në UNESCO, çka u shoqërua me organizmin e disa aktiviteteve të ndryshme në Tiranë dhe në Paris, duke nënvizuar kështu vlerat e multilateralizmit dhe ripozicionimin e UNESCO-s në një botë, dinamika e së cilës ndryshon vazhdimisht. Në nëntor të këtij viti (2019) , Shqipëria do të ekspozojë për herë të parë një vepër arti në ambientet e selisë së UNESCO-s. Vepra në fjalë është një ikonë e shekullit të 18-të “Ringjallja e Lazarit”, një kryevepër e mjeshtërisë së vëllezërve Zografi nga Berati.

 

[1] Albania, Austria, Belgium, Bulgaria, Croatia, Germany, Italy, Poland, Romania, Slovakia, Slovenia, Spain and Ukraine.

Më shumë

Rreziku nga sulmet kibernetike

Siguria kibernetike po bëhet çdo ditë e më shumë një fushë që kërkon fuqi punëtore të specializuar. Ndaj Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, si drejtues i institucionit që shumë shpejt do të marrë drejtimin për garantimin e mbrojtjes kibernetike përshëndeti pjesëmarrësit në aktivitetin inovativ “Cyber Camp Albania”, ku ftoi të rinjtë të orientojnë karrierën […]

4 – Dhjetori, Festa Kombëtare e Forcave të Armatosura Shqiptare

Me propozimin e Isa Boletinit, më 4 dhjetor 1912, Mehmet pashë Dërralla u zgjodh ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme, duke fituar 42 vota dhe duke u radhitur i treti pas Luigj Gurakuqit me 54 vota dhe Myfit Bej Gjirokastrës (Libohovës) me 52 vota. Ministri i Luftës Mehmet pashë Dërralla duke bashkëpunuar me […]

Një shqiptar në krye të Arqipeshkivisë së Tiranës dhe Durrësit

Papa Françesku emëroi sot (30 nёntor 2021) imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv të ri të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit. Imzot Dodaj është kryeipeshkvi i tretë i kësaj Kishe në periudhën pas rënies së komunizmit, pasardhës i imzot Rrok Mirditës dhe i imzot George Frendos.   R.SH. – Vatikan   Dorëheqja dhe emërimi i Kryeipeshkvit Mitropolit […]

Mbi 17’000 shqiptarë e festuan Pavarësinë jashtë atdheut

Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë zgjedhur t’i kalojnë festat e nëntorit jashtë atdheut.   Stambolli ishte destinacioni kryesor për të kaluar pushimet 4-ditore që erdhën nga festat e Pavarësisë dhe Çlirimit.   “Stambolli është shitur në masë, gati  muaj përpara, pra në fund të tetorit të gjitha grupet e Stambollit kanë qenë të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara