e mërkurë 18 maj 2022
e mërkurë 18 maj 2022

 

“Nisma Shqipëria e vogël energjetike në rajon po bëhet çdo ditë e më shumë realitet”, thoshte në 2012 kryeministri i atëhershëm Sali Berisha, me ngritjen e 330 HEC-eve të vegjël nëpër lumenjtë e vendit për të garantuar jo vetëm nevojat për konsum të brendshëm por edhe për eksport.

 

Por sot, kryeministri Edi Rama, duke marrë shkas nga kriza energjitike globale që po kërcënon Europën shpalli “emergjencën energjitike”.

 

Sipas tij, një vendim i tillë diktohet nga e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare. Opozita nga ana e saj edhe sot foli për një krizë të keqmenaxhimit.

 

Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiarë, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative”, deklaroi kryeministri. Gjendja e emergjencës do të jetë në fuqi deri në mesin e prillit të vitit të ardhshëm.

Në Europë rritja e ndjeshme e çmimeve të energjisë elektrike, ka pasuar rritjen e çmimit të gazit, qymyrit apo dhe naftës.

Kryeministri Rama deklaroi se synimi i qeverisë “është që të mbrojë konsumatorët, me një rend prioritetesh nga poshtë lartë. Ata që janë më në nevojë e duke vajtur më lart”, por pa shpjeguar se në çfarë mënyre.

Kryeministri paralajmëroi se kjo situatë nuk do të mund të kalojë pa kosto: “Eshtë shumë e rëndësishme që ne të bëjmë gjithshka , por i them çdo qytetari se hesapet janë hesape, dhe kjo është shtëpi e përbashkët dhe si në çdo shtëpi të vogël dhe shtëpia jonë e madhe ka mundësitë e veta jo të pakufizuara dhe ka përgjegjesinë e përbashkët për ta mbajtur atë në këmbë”.

Opozita nga ana e saj është e bindur se këtu nuk bëhet fjalë për një krizë energjitike. “Kjo është krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi me shkak dhe me plan. I keni bilancet e operatorëve të energjisë, i keni parë si në verë shesin me çmim të ulët energjinë e prodhuar nga uji, nga burimet hidrike të shqiptarëve dhe blejnë me 3-4 fish çmimin pak muaj më vonë në tendera korruptivë duke shpërdoruar taksat që ua mbledhin kacidhe më kacidhe shqiptarëve”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Duke ju referuar shifrave, opozita u shpreh se 2021 është ndër vitet më të mira të prodhimit të energjisë në vend. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Alfred Rrushaj tha se deri në shtator është prodhuar më shumë se sa konsumi mesatar. Por kompanitë shtetërore, u shpreh ai, kanë zgjedhur të blejnë energji në periudhën e shtrenjtimit të saj. Sipas zotit Rrushaj, kostot për mbulimin me energji deri në fund të vitit mund të shkojnë në mbi 140 milion euro: “Për periudhën shtator- tetor kompania publike për të plotësuar këtë detyrim do ti duhet të paguajnë rreth 150 milion euro. Sikur ta kishin marrë nga KESH, po ta merrni nga KESH fatura do të ishte 8 milion euro. Llogariteni vet sa është diferenca që do i kushtoj qytetarëve shqiptarë. Në cfarëdo lloj forme ose duke rritur çmimin ose nga buxheti i shtetit, në çdo rast është faturë që paguajnë qytetarët shqiptarë

Ndërsa nesër pritet të bëhet publik plani i masave, vendimi i sotëm i qeverisë parashikon ngritjen e një grupi institucional për administrimin e emergjencës, si dhe urdhërin që tre kompanitë e sektorit energjitik të pezullojnë investimet, ndërkohë që ministria e Financave duhet të sigurojë mekanizmat financiar për përballimin e importit të energjisë.

 

Kriza e çmimeve/ Berisha: Rama ka luajtur bixhoz me kaskadën e Drinit

 

Nga Foltorja e Elbasanit, lideri historik demokrat, Sali Berisha, tha se kryeministri Edi Rama ka luajtur bixhoz me krizën.

“Këtë javë Rama u ra borive të fatkeqësisë, të krizës, të terrorit. Si një njeri, i cili ka një trashëgimi jashtëzakonisht problematike, edhe është shumë e gabuar të harrohet ajo, ai beson se terrori ndaj qytetarëve është mënyra më e mirë për t’i sunduar dhe qeverisur.

Ai para një jave alarmoi njerëzit me krizën e jashtëzakonshme që do të përpijë Shqipërinë. Çfarë është kjo? Kjo është një krizë e bërë me dorën e tij.

Ky ka qenë një nga vitet më të mbara energjetike për Shqipërinë. Në gusht kaskada e Drinit ka qenë në kuotat maksimale. Kushdo e di se ajo është rezerva unike e shtetit shqiptar. Blihet energji dhe ruhet për vjeshtë dhe dimër.

Ka zbrazur kaskadën në mënyrë të papërgjegjshme. E ka çuar në kuotat e bllokimit të plotë të prodhimit të energjisë. Ka shitur energji me çmim tre herë më të ulët se e blejmë sot.

Krizën e kemi nga qeveria, e kemi nga Edi Rama dhe ministri i tij, që luajnë bixhoz me kaskadën e Drinit. Akoma më keq, deklaron se rritja e çmimeve është pa kthim. Ja tani që gazi ra në pikiatë tani, ai thotë se çmimet nuk kanë kthim. Pse nuk paskan kthim?

Shqipëria ka koston më të ulët të prodhimit të energjisë dhe ky pretendon për rritje të tjera të çmimit të energjisë. Falë asaj strategjie që u zbatua për 8 vite, sot HEC-et private prodhojnë 41 përqind të energjisë së vendit. Por këtyre privateve u blejnë vetëm 60 përqind të energjisë dhe as u japin linja për energjinë. Sillen absolutisht si komunistë,” tha Berisha.

 

 

 

Njoftim i mbledhjes së Qeverisë më 29.8.2012:

Në mbledhjen e radhës kryeministri Sali Berisha iu referua dy ligjeve, atij të nëpunësit civil dhe Gjykatës së Lartë, si të rëndësishëm për plotësimin e kritereve të integrimit.

Kryeministri Berisha njoftoi edhe miratimin e ligjit për shfrytëzimin e integruar të ujërave. “Në këtë mbledhje miratojmë ndërtimin nga sektori privat i dy hidrocentraleve në lumin Osum. Potencialet energjetike të Shqipërisë po rriten çdo ditë e më shumë. Nga marsi i vitit 2007, deri më sot janë ndërtuar rreth 72 hidrocentrale. Në sektorin privat METE ka firmosur mbi 117 kontrata për ndërtimin e 330 HEC-ve. Vetëm ato që janë ndërtuar apo në ndërtim kanë një kapacitet 1400 megavat kundrejt 1200 megavat që është kapaciteti aktual. Në një hark kohor 5 vjeçar janë ndërtuar kapacitetet energjetike, 20% më shumë se ato që janë ndërtuar në kohërat më parë. Vitin një vjen nis kaskada e Devollit me 1 miliard euro investim. Nisma Shqipëria e vogël energjetike në rajon po bëhet çdo ditë e më shumë realitet” tha Berisha.

Më shumë

Politikat e copëtuara për bujqësinë

Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, me këtë sektor jetik që sjell gati 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pavarësisht rënies së fortë në krahasim me fillimin e viteve ’90, kjo peshë është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian (2%) dhe gati dy herë më e lartë se […]

Shqiptarët shpenzuan 13.6 milionë euro në 9 muaj për të siguruar pronat, si ndahet tregu mes kompanive

Për nëntë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët shpenzuan rreth 1.67 miliardë lekë ose rreth 13.6 milionë euro për sigurimin e pronave.   Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto nga sigurimet e pronës u rritën me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një […]

Drafti: Rritet kufiri i pagës së pataksueshme në 40 mijë lekë, përgjysmohet nga 30-50 mijë lekë, pragu për shtresën e mesme bëhet 200 mijë lekë

Nga korriku i vitit 2022 pritet që të ndryshojë sërish tatimi mbi pagat, duke rritur si dyshemenë për kufirin e pataksueshëm të pagës minimale në 40 mijë lekë (nga 30 mijë lekë që është sot), po ashtu dhe kufirin mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, në 200 mijë lekë, nga […]

Çmimet e naftës shtrenjtohen për herë të gjashtë në pak muaj, arrijnë 184 lekë, afër rekordit historik

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të gjashtë radhazi në vetëm pak muaj.   Në pikat e tregtimit të“Kastrati”, më i madhi në vend për shumicën dhe pakicën, nafta tregtohet me 184 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 186 lekë, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara