e hënë 16 maj 2022
e hënë 16 maj 2022

 

 

Për nëntë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët shpenzuan rreth 1.67 miliardë lekë ose rreth 13.6 milionë euro për sigurimin e pronave.

 

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto nga sigurimet e pronës u rritën me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimet në pronë përbëjnë gjithsej rreth 12.8% të primeve totale të sigurimit në Shqipëri, në rritje të lehtë nga niveli prej 11.4% i një viti më parë.

 

Tregu i sigurimit të pronës shfaqet më i përqendruar krahasuar me mesataren e tregut të sigurimeve. Të dhënat e AMF tregojnë se tre kompani sigurimesh zotërojnë rreth 78% të primeve totale të shkruara bruto nga ky produkt. Megjithatë, pjesa e tre kompanive më të mëdha ka pësuar një rënie krahasuar me një vit më parë, kur së bashku zotëronin mbi 82% të tregut. Kompania më e madhe në treg, Sigal, për 9 muajt e parë të vitit zotëronte rreth 40.9% të primeve të shkruara bruto, afërsisht në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. E dyta renditet Albsig, që mban 26.8% të tregut, në rënie nga niveli prej 29% i vitit të kaluar. Vijon Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group me 10.5%, edhe kjo në rënie nga niveli prej 11.8% i një viti më parë. Kompanitë e tjera, të marra së bashku zotërojnë vetëm rreth 22% të tregut për këtë produkt, megjithëse pjesa e tyre është rritur me katër pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

 

Sigurimi i pronës është një produkt ligjërisht vullnetar, megjithëse pjesa më e madhe e kontratave lidhen me kreditë bankare, çka e bën faktikisht një produkt të detyrueshëm. Si rregull, bankat i ofrojnë huamarrësit mundësinë e zgjedhjes së kompanisë ku dëshiron ta sigurojë pronën që vendos si kolateral për kredinë. Megjithatë, duke qenë se për këtë produkt agjent shitjeje janë kryesisht bankat, një ndikim mund të kenë edhe komisionet e ofruara nga secila kompani. Kjo mund t’i bëjë bankat që t’i orientojnë klientët drejt atyre siguruesve që ofrojnë komisionet më të larta për to. Fakti që tregu ka një shkallë të lartë përqendrimi në pak kompani mund të shpjegohet edhe me marrëdhënien që ato kanë arritur të vendosin me bankat tregtare.

 

Mbështetur në të dhënat e AMF, deri tani në Shqipëri rezultojnë gjithsej rreth 38 mijë prona të siguruara. Megjithëse numri i kontratave të sigurimit është rritur me 11% krahasuar me një vit më parë, përdorimi i këtij produkti sigurimi nga shqiptarët ngelet në nivele të ulëta dhe i lidhur kryesisht me sigurimin e kolateraleve për kreditë bankare. As tërmeti i rëndë i nëntorit të vitit 2019 nuk ka sjellë një “shkundje” të mirëfilltë lidhur me rrezikun e dëmtimeve në pronë nga fatkeqësitë natyrore. Pas tërmetit, qeveria shqiptare u shfaq e orientuar për ta bërë sigurimin e pronës të detyrueshëm, nëpërmjet ngritjes së një skeme të posaçme që do të administrohej nga një kompani publike, sipas modelit që aplikohet në Turqi. Por, drafti i përgatitur nga AMF për këtë qëllim duket se është harruar sërish sirtarëve dhe qeveria deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore për këtë qëllim.

 

 

 

Më shumë

Politikat e copëtuara për bujqësinë

Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, me këtë sektor jetik që sjell gati 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pavarësisht rënies së fortë në krahasim me fillimin e viteve ’90, kjo peshë është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian (2%) dhe gati dy herë më e lartë se […]

Shqiptarët shpenzuan 13.6 milionë euro në 9 muaj për të siguruar pronat, si ndahet tregu mes kompanive

Për nëntë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët shpenzuan rreth 1.67 miliardë lekë ose rreth 13.6 milionë euro për sigurimin e pronave.   Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto nga sigurimet e pronës u rritën me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një […]

Drafti: Rritet kufiri i pagës së pataksueshme në 40 mijë lekë, përgjysmohet nga 30-50 mijë lekë, pragu për shtresën e mesme bëhet 200 mijë lekë

Nga korriku i vitit 2022 pritet që të ndryshojë sërish tatimi mbi pagat, duke rritur si dyshemenë për kufirin e pataksueshëm të pagës minimale në 40 mijë lekë (nga 30 mijë lekë që është sot), po ashtu dhe kufirin mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, në 200 mijë lekë, nga […]

Çmimet e naftës shtrenjtohen për herë të gjashtë në pak muaj, arrijnë 184 lekë, afër rekordit historik

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të gjashtë radhazi në vetëm pak muaj.   Në pikat e tregtimit të“Kastrati”, më i madhi në vend për shumicën dhe pakicën, nafta tregtohet me 184 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 186 lekë, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara