e shtunë 18 shtator 2021
e shtunë 18 shtator 2021

 

Shqipëria po strehon refugjatë afganë që do të skanohen para marrjes së vizës amerikane. Disa shqiptarë mendojnë se Shqipëria duhet të ndihmojë SHBA, të tjerë se duhet të zgjidhë fillimisht problemet e brendshme.

 

Vija bregdetare shqiptare është e mbushur me turistë vendas dhe të huaj që po mbyllin pushimet verore. Por qyteti bregdetar i Durrësit nuk është vetëm vend për të kaluar pushimet. Është gjithashtu strehë e përkohshme për qindra refugjatë afganë.

 

Atyre u janë vënë në dispozicion një sërë hotelesh. Në një prej hoteleve të Durrësit ne donim të kontaktonim nga afër me refugjatët, por policia vendase nuk na e mundëson këtë. “Ata janë në karantinë. Gazetarët nuk lejohet këtu,” na bëjnë me dije. Përmes kangjellave të një porte të stërmadhe shikojmë disa fëmijë që luajnë të lumtur në pishinën e hotelit. Vetëm pak ditë më parë, këta të evakuuar po përjetonin agoninë për të lënë pas atdheun e tyre.

 

Ndërkohë edhe në Tiranë, në konviktet e Qytetit Studenti, është krijuar hapësirë për refugjatët afganë. Dy javë më parë, Shqipëria ra dakord të strehonte të paktën 4,000 refugjatë nga Afganistani.

 

 

“Përkohësisht” tha kryeministri Edi Rama në atë kohë

 

Fjala përkohësisht po përdoret shumë kohët e fundit. Dhe sa më shumë përdoret, aq më shumë njerëzit pyesin për kohëzgjatjen.

“Kush e di se sa gjatë do të qëndrojnë refugjatët afganë,” na thotë një burrë, duke tundur kokën plot mosbesim. “Ne kemi një ekonomi në të cilën njerëzit ende lypin. Ne duhet të gjejmë bukën e përditshme në kazanët e plehrave, e kuptoni?”

 

 

Detyrim për të ndihmuar

 

Njerëz që pyesim në rrugët e Tiranës thonë se Shqipëria si anëtare e NATO-s e ka për detyrë të ndihmojë aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara. Administrata e Biden i kërkoi Ramës të strehojë refugjatë afganë derisa ata të verifikohen dhe t’u miratohen vizat amerikane.

 

“Kjo mund të zgjasë deri në një vit,” thotë Alban Dafa, ekspert i çështjeve të sigurisë në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë. “Por qeveria nuk ka dhënë informacion të mjaftueshëm për të gjithë procesin.” Ai është i shqetësuar se situata mund të çojë në një refuzim në rritje të të evakuuarve afganë brenda popullsisë shqiptare, dhe ai gjithashtu ngre pyetjen se çfarë do të ndodhë me ata që nuk lejohen të shkojnë në SHBA – “ata refugjatë që do të bllokohen në Shqipëri “.

 

 

Një vend i sigurt

 

Të paktën 600 afganë kanë mbërritur në Shqipëri deri tani. Khanbik Sadiq, i cili mbërriti në Tiranë nga Kabuli, është njëri prej tyre. 22-vjeçari mund të mos e dijë se ardhja e tij dhe e refugjatëve të tjerë është bërë çështje politike këtu: ai është thjesht i lehtësuar që është në një vend të sigurt, tani për tani.

 

I buzëqeshur tregon se kur dëgjoi se do të shkonte në Shqipëri, nisi të kërkojë në internet. “Kërkova: ku ndodhet? Cilat janë vendet fqinjë? Më pas i thashë familjes sime se Shqipëria është një vend shumë i mirë”, thotë ai, duke përdorur të gjitha fjalët që di në gjuhën angleze.

 

Reporterja e DW-së, Fanny Facsar, duke biseduar nga afër me refugjatë afganë

 

SHBA: Partner për përparim

 

Tingëllon mjaft logjike që Shqipëria u pajtua me kërkesën e SHBA-ve për të pritur refugjatët afganë. Shtetet e Bashkuara ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan, i cili në vetvete ka një histori të gjatë luftërash. Rrugë të ndryshme në Shqipëri mbajnë emrin e ish-presidentëve amerikanë. Imazhi i Shteteve të Bashkuara si një partner për përparim është i ngulitur thellë në mendjet e njerëzve, pavarësisht nëse aktualisht ka ndonjë përparim apo jo.

 

Por Shqipëria po përpiqet të krijojë perspektiva për qytetarët e saj dhe shpesh është e shqetësuar nga tensioni i brendshëm midis qeverisë së rizgjedhur Rama dhe opozitës. Është një vend i drobitur nga korrupsioni, varfëria dhe mungesa e zgjidhjeve.

 

 

Të paktën një vit kohë për t’u “skanuar” për vizat amerikane

 

Ndërsa analistët vendas dhe ndërkombëtarë janë të zënë duke shpjeguar se çfarë do të thotë në të vërtetë marrëveshja SHBA-Shqipëri për të pritur refugjatë, duket shumë ironike të shohësh një kopje të Statujës së Lirisë në shitje në një lagjje në dalje të Tiranës. “Për 10.000 euro statuja është e juaja,” thotë shitësi – një pasuri e tërë, kur merr parasysh se qytetarët shqiptarë fitojnë mesatarisht 400 euro në muaj, madje edhe shumë më pak në zonat rurale.

 

 

Khanbik Sadiq shpreson që së shpejti të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara. Në fund të fundit, kjo është ajo që u premtohet të gjithëve këtu. “Ata duhet të na çojnë në një vend tjetër, në SHBA,” thotë ai. Pasi të arrijë atje, dëshiron të vazhdojë të studiojë inxhinieri. Edhe pse “Shqipëria është një vend fantastik, por për t’u arsimuar, SHBA-të janë më të mira,” thotë ai.

 

Aktualisht është e paqartë se cilët afganë do të arrijnë destinacionin e tyre dhe kur. Procesi i verifikimit për SHBA nuk ka filluar ende. SHBA aktualisht po sigurojnë që mijëra refugjatë afganë të vendosen në të ashtuquajturat “vende tranzit” në Ballkan: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pjesa tjetër do të jetë politikë, që do të luhet brenda rajonit të Ballkanit.

 

Më shumë

Si sot, 75 vjet më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend

Zona e Shkodrës kishte filluar organizimin për një rezistencë antikomuniste me shpresën se do të kthehej në një kryengritje të madhe popullore. Në pjesën më veriore të vendit, komunizmi ende nuk kishte lëshuar rrënjë dhe qëndronte dobët. Në Postribë filloi të organizohej një lëvizje e nxitur kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. […]

Më 1 shtator 1928 u shpall Monarkia Shqiptare

Asambleja Kushtetuese, e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928 me 58 deputetë, sanksionoi në statut formën monarkike të qeverisjes dhe parashikoi sistemin njëdhomësh parlamentar.   Shqipëria shpallej mbretëri demokratike, parlamentare, dhe e trashëgueshme, ndërkohë që Mbret i shqiptarëve sanksionohej Lart Madhëria e tij Zogu I.   Në prill 1938 Mbreti Zog martohet me […]

Djali i George Soros takon punonjësit afganë të fondacionit

Alex Soros, djali i miliarderit George Soros ka mbërritur në Shqipëri dhe ka vizituar punonjësit afganë të fondacionit, të cilët janë strehuar në hotelet në Durrës. “Kam patur privilegjin të takoj kolegët e Fondacionit Shoqëria e Hapur dhe të evakuuar të tjerë që u shpëtuan nga Afganistani drejt Shqiërisë. Ky grup përfshin gazetarë, mbrojtës […]

Shpenzimet për shëndetin u kushtojnë shqiptarëve 34 herë më shumë se mesatares së BE

Pandemia, që ka zhytur botën në kaos dhe në vitin e dytë ende nuk po i duket fundi, nxori më të pah rëndësinë dhe mundësinë, apo pamundësinë e kujdesit për shëndetin.   Të dhënat krahasuese të Eurostat, që publikon treguesin e barazisë së fuqisë blerëse për shëndetin dhe shërbimet spitalore për vendet e Bashkimit […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara