e hënë 19 prill 2021
e hënë 19 prill 2021

 

Nga Shkelzen Gashi, Prishtinë

4 gusht 2020

 

Mospërfshirja e emrit të një vajze pesëvjeçare rome në pllakën përkujtimore që përkujton viktimat e masakrës në Mitrovicë, Kosovë, tregon pasojat e dëmshme të mungesës së dokumentacionit të duhur për viktimat e luftës së viteve 1998-1999.

 

Që prej qershorit, kam punuar në një projekt që kërkon të dokumentojë masakrat që ndodhën në Kosovë midis viteve 1998 dhe 2000. Rezultati përfundimtar do të jetë një libër që mbledh informacione për të gjitha masakrat në mënyrë objektive, pavarësisht etnisë, fesë, bindjes politike apo gjinisë së atyre që janë masakruar.

Dy dekada pas luftës, projekti, i zbatuar nga organizata ADMOVERE dhe i mbështetur nga Ambasada Zvicerane në Kosovë, synon të jetë një burim i besueshëm informacioni për masakrat e kryera gjatë kësaj periudhe, i shkruar pa gjuhë urrejtjeje.

Javën e kaluar isha duke mbledhur informacione për katër masakra që ndodhën në Mitrovicë dhe rajonin përreth: në Tregun e Gjelbër (13 mars 1999), në lagjen Kovac (14 prill 1999), në Malin e Drethit (19 prill 1999) , dhe në Mitrovicën e Veriut (3-4 shkurt 2000).

Ashtu siç ndodh pothuajse me çdo masakër tjetër, ndërsa hulumtoja vrasjet në Tregun e Gjelbër, hasa në mospërputhje në të dhëna. Në disa burime regjistroheshin pesë njerëz të pafajshëm të vrarë, në disa të tjera gjashtë dhe shtatë të tillë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, komuna e Mitrovicës së Jugut dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ofronin të dhëna për gjashtë qytetarë të pafajshëm të vrarë, të gjithë ishin shqiptarë etnikë.

Megjithatë, gazetat vendase dhe ndërkombëtare nga ajo kohë dhe raportet nga organizatat ndërkombëtare joqeveritare jepnin shifra krejt të ndryshme, pasi disa nga të plagosurit në masakër vdiqën më vonë në spitalet në Mitrovicë dhe Beograd.

Pavarësisht kësaj, pothuajse çdo lajm në shtyp në atë kohë raportonte se një nga të vrarët në atë masakër ishte një fëmijë pesë vjeçar, edhe pse gjenia dhe përkatësia etnike nuk u specifikua kurrë. Një foto e realizuar nga fotografi dhe gazetari Tyler Hicks nga New York Times dokumentoi gjithashtu faktin se në masakrën e Tregut të Gjelbër ishte vrarë edhe një fëmijë.

Bazuar në të dhënat nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ne mundëm të përcaktonim identitetin, gjininë dhe përkatësinë etnike të fëmijës. Emri i saj ishte Elizabeta Hasani, një vajzë rome, e lindur më 11 maj 1994 në Itali, nga prindërit Isa dhe Nada Hasani.

Prandaj, në masakrën e Tregut të Gjelbër u vranë gjithsej shtatë viktima të pafajshme. Por pllaka përkujtimore në qendër të qytetit, e vendosur nga komuna e Mitrovicës në mars të këtij viti, rendit vetëm emrat e gjashtë shqiptarëve etnikë të vrarë. Elizabeta Hasani nuk është e shënuar në të.

Pasi e zbulova këtë më 2 gusht 2020, pa ditur se ishte Dita e Përkujtimit të Holokaustit Rom, gjetjet e mia i postova në Facebook.

Gazetarë, komentues, aktivistë socialë dhe politikë, shkencëtarë dhe shumë qytetarë të indinjuar reaguan ndaj këtij postimi, ashtu siç vepruan edhe aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile në Mitrovicë. Të gjithë kishin të njëjtën kërkesë: që të gjithë viktimat e luftës të përkujtohen pa diskriminim dhe që emri i Elizabeta Hasanit të vihet në pllakën përkujtimore bashkë me emrat e viktimave të tjera sa më shpejt që të jetë e mundur.

Edhe Faruk Muja, nënkryetari i komunës së Mitrovicës, foli publikisht për këtë çështje. Megjithatë, në vend që t’u premtonte banorëve të Mitrovicës dhe Kosovës se komuna do ta vendoste menjëherë emrin e Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore, ai mbajti një leksion mbi mënyrën se si qytetarët e Kosovës duhet të sillen me autoritetet komunale.

Muja deklaroi se nëse njerëzit kanë ndonjë vërejtje për qeveritë lokale, atëherë ne duhet t’i paraqesim ato pranë autoriteteve komunale dhe jo t’i bëjmë ato publike, sepse duke bërë kështu, po tregohemi egocentrikë dhe po kërkojmë famë.

Për fat të mirë, më vonë pati një përgjigje nga komuna e Mitrovicës në të cilën ajo premtoi se “ky gabim – edhe pse është bërë pa dashje dhe pa asnjë faj nga ana e komunës – do të korrigjohet pa asnjë hezitim”. Megjithatë, edhe gjatë bërjes së këtij premtimi, komuna e përshkroi përgjigjen nga shoqëria civile si një sulm ndaj saj.

Komuna e Mitrovicës nuk duhet të merret më me atë që dërgon mesazhin dhe duhet të përqendrohet te mesazhi. Shpresoj gjithashtu që para fundit të kësaj jave, ajo të përmbushë angazhimin e saj publik dhe të ndryshojë pllakën përkujtimore. Përndryshe, aktivistë të zellshëm të shoqërisë civile do të vazhdojnë t’ia kujtojnë këtë gjë. Publikisht.

Përkujtimet e viktimave të luftës në Kosovë duhet të jenë të studiuara mirë dhe gjithëpërfshirëse. Nëse nevojitet frymëzim, atëherë duhet të ndiqet qasja e Sarajevës, ku pllakat përkujtimore e masakrave në Rrugën Ferhadija dhe në tregun Markale përkujtojnë viktimat boshnjake, serbe dhe kroate. Askush nuk është përjashtuar nga ato.

 

Shënim: Shkëlzen Gashi është një aktivist që ka shkruar shumë libra mbi historinë e fundit të Kosovës.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

 

*Faruk Muja, nënkryetari i komunës së Mitrovicës, vendos lule te përmendorja e viktimave të masakrës së Tregut të Gjelbër për të shënuar 21-vjetorin në mars. Foto: Komuna Mitrovicë.

 

 

Më shumë

22 vite nga bombardimet e NATO-s kundër Serbisë

Sot mbushen 22 vite kur NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë. Në 24 mars të vitit 1999, NATO filloi bombardimet kundër ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Këto bombardime zgjaten 78 ditë. Si rezultat i këtyre bombardimeve, Sllobodan Millosheviç, “Kasapi […]

FSK nis misionin e parë jashtë vendit  

Nisja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misionin e parë paqësor jashtë vendit, përkatësisht në Kuvajt, të martën u cilësua si ditë historike nga udhëheqësit politikë në Kosovë.   Në ceremoninë e zbarkimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në misionin e parë paqësor jashtë vendit, ushtruesja […]

Dyzet vjet nga demonstratat e vitit 1981 në Kosovë

Një revoltë studentësh të Universitetit të Prishtinës në fillim marsit të vitit 1981, për pak ditë u shndërrua në një lëvizje në shkallë të gjerë dhe pranvera e atij viti ishte periudhë demonstratash të mëdha, në të cilat u kërkua që Kosova të kishte statusin e Republikës në kuadër të Federatës Jugosllave.   Pas […]

Anulohen votat e boshnjakëve të fituara në komunat me shumicë serbe në Kosovë

PZAP-ja konstatoi se votat e disa partive boshnjake e rome të fituara në zonat me shumicë serbe janë të pavlefshme, se nuk mund të sigurohet përfaqësimi i garantuar i një komuniteti me votat e një komuniteti tjetër.   Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa anuloi në tërësi votat për subjektet politike boshnjake në komunat […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara