e premte 19 gusht 2022
e premte 19 gusht 2022

 

 

Pas mbylljes së  Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike që u mbajt për tri ditë rresht nga data 25-27 nëntor në Hotel Plaza, tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë u bë shpallja e fituesve të çmimit “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli” për albanologët e huaj.

 

-Sir Noel Malcolm ka fituar çmimin e parë “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”

Ai u vlerësua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për veprën “Knights, Corsairs, Jesuits and Spies in the Sixteenth Century Mediterranean World” me motivacionin:

Vepër e bazuar në një njohje sovrane të burimeve arkivore, tregimtare të literaturës së specializuar, në të cilën, me argumente gjithëpërfshirëse, jepet një kuadër impresionues i historisë së botës adriatiko-mesdhetare e i mbarë Europës së shekujve XVI-XVII, me pikënisje e duke ndjekur fatet e anëtarëve të një familjeje fisnike shqiptare, nga e cila dolën luftëtarë, intelektualë, klerikë e diplomatë të shquar e të vlerësuar sa në oborret e Europës aq edhe në ish-perandorinë otomane.

 

-Lucia Nadin ka fituar çmimin e dytë “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”

Ajo u vlerësua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për veprën

“Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (nga historia te miti: shek. XV-XVIII)” me motivacionin:

Vepër që finalizon një punë të gjatë e të mundimshme, me një analizë në 360 gradë, në kërkim të gjurmëve që lidhin historinë e Shqipërisë me atë të Venedikut, duke pasur në qendër figurën e Gjergj Kastriot-Skënderbeut dhe receptimin e saj në mjedisin veneto-padovan, mbështetur në dëshmi arkivore, artistike, letrare, historiografike të zbuluara e të vlerësuara drejtpërsëdrejti, që nxjerrin në pah impaktin e jashtëzakonshëm që pati në Venecie dhe në territoret e shtetit të Venedikut figura e heroit të rezistencës arbërore.

 

-David Hosaflook ka fituar çmimin e dytë “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”

Ai u vlerësua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për veprën “Lëvizja protestante te shqiptarët, 1816-1908” me motivacionin:

Vepër në të cilën për herë të parë, në mënyrë të plotë e të thelluar, mbështetur në burime të panjohura, vlerësohet historia e lëvizjes protestante te shqiptarët në periudhën e Rilindjes Kombëtare; roli i kësaj lëvizjeje për njësimin e shkrimit shqip dhe për inkurajimin e përpjekjeve për emancipimin e gruas shqiptare; libër referencial për mjaft aspekte të historisë politike e kulturore të shqiptarëve, që i shton kësaj historie figura dhe ngjarje historike me gjurmë të pashlyeshme.

Ceremonia u mbajt me paraqitjen e të nominuarve:  

  1. Noel Malcolm për veprën “Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits, and Spies in the Sixteenth-Century Mediterranean Ëorld”
  2. Lucia Nadin për veprën “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (nga historia te miti: shekujt XV-XVIII)”
  3. Roderick Bailey për veprën “Lufta e fshehtë në Shqipëri: Një histori e misioneve britanike 1940-1945”
  4. Jean-Paul Champseix për veprën “Ismail Kadare, une dissidence litéraire”
  5. Dhori Q. Qirjazi për veprën “Thimi Mitko, Fjalëtore Shqip-Gërqisht / Gërqisht-Shqip & ndihmesa të tjera leksikografike (Përgatitja e dorëshkrimeve për botim dhe studimi hyrës nga Dhori Q. Qirjazi).”
  6. David Hosaflook për veprën “Lëvizja protestante te shqiptarët, 1816-1908”

Ceremonia u mbyll me një koncert instrumental nga formacioni Academia Albanica.

 

 

 

 

Ilirologu i shquar francez Pierre Cabanes  ka lidhje të ngushta me Shqipërinë dhe historinë e saj.

 

 

Për herë të parë i ka vizituar kufijtë jugorë mes Shqipërisë dhe Greqisë që në vitet ’70 dhe që atëherë, dëshira e tij për të studiuar rreth lashtësisë së këtyre territoreve ishte mjaft e madhe. Ai ka qenë pjesëmarrës në Kuvendin Ndërkombëtar të Albanologjisë në vitin 1972, ku u vendosën dhe u saktësuan teori dhe teza për origjinën e shqiptarëve e gjuhën e tyre.

Gati pas 50 vjetësh Cabanes është sërish pjesëmarrës i një kuvendi me përmasa të tilla, kur edhe këtë herë me pjesëmarrjen e 182 studiuesve nga vendi e bota po prezantohen studime, teza dhe punime shkencore që hedhin më shumë dritë në historinë, arkeologjinë, gjuhën dhe vijimësinë e kulturës iliro-arbërore.

Pierre Cabanes ka çelur me kumtesën e tij interesante seancën e parë plenare të Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës që po vijon punimet që nga data 25 nëntor në Hotel “Plaza” në Tiranë, ndërsa do të mbyllet këtë të shtunë më 27 nëntor.

Në kumtesën e tij prof. Cabanes ka përforcuar tezën e ekzistencës së një shteti të vetëm ilir të formuar nga komunitet etnike dhe ka argumentuar sesi ka evoluar ai në Ilirinë jugore.

“Çështja e ekzistencës së një shteti ilir në Antikitet është një temë e trajtuar shpesh tashmë. Duke filluar me  morinë e komuniteteve etnike në Ilirinë Jugore në shek. IV p.K., dikush me të drejtë vë në pikëpyetje, ose jo, formimin e një shteti të vetëm ilir, krahas mbretërive të vogla të shumta ose shteteve lokale. Në shek IV p.K., Iliria Jugore ia doli të mblidhte ushtri të shkëlqyera, duke shkaktuar disfata për maqedonasit, si dhe molosët. Ekzistenca e këtyre ushtrive sugjeron se komunitete të ndryshme ua besuan kontingjentet e ushtarëve një prijësi, shpesh i zgjedhur nga mbretërit e fiseve të ndryshme (desaretët, taulantët, ardianët, etj.). Megjithatë, ushtritë nuk janë të mjaftueshme për të provuar ekzistencën e një shteti ilir të përhershëm dhe të bashkuar: ata i humbën të gjitha veprimtaritë në kohë paqeje.

Sidoqoftë, lidhjet ndërmjet komuniteteve lokale mbetën të forta, sidomos lidhur me blegtorinë transhumante që supozonte marrëveshje ndërmjet grupeve etnike, për ndarjen e kullotave, zonat e dimërimit dhe shtigjet e ndjekura nga tufat.

Prandaj, komunitetet etnike ruajtën marrëdhënie të ngushta në sferën e jetës ekonomike, kryesisht të organizuara rreth blegtorisë transhumante, si dhe për mbrojtjen e tyre kolektive nga shtetet fqinje. Me sa duket, ilirët e jugut konceptuan një model origjinal, i cili nuk ishte as një shtet i bashkuar si mbretëria e Maqedonisë, dhe as një shtet federal si Epiri fqinj.”, tha prof. Cabanes,

 

 

Lucia Nadin zbulon rrënjët e lidhjes së Shqipërisë me Republikën e Venedikut në Mesjetë

 

 

Nadin: Studimi i diasporës shqiptare mbi tokat e Serenissima-s, pas vdekjes së Skënderbeut, transferimi i Shkodrës pas dy rrethimesh historike dhe humbja e Durrësit, ka hapur skenarë të gjerë, duke treguar tipare të ndryshme nga diaspora në jug të Italisë.

 

 

Lucia Nadin, albanologe veneciane prej më shumë se dy dekadash po punon në kërkim të historisë mesjetare të arbëreshëve. E lidhur ngushtë me Shqipërinë dhe albanologët e saj, ajo ka kaluar një periudhë të gjatë mësimdhënieje dhe pune kërkimore në vendin tonë.

Ndër veprat e saj të shumta për historinë dhe gjuhën shqipe vlen të përmendet botimi i “Statuteve të Shkodrës” që ka nxjerrë në dritë tekstin nga Biblioteka e Muzeut të Venecias: një “monument” i historisë mesjetare të Shqipërisë.

Në studimet e saj prof.Nadin ka rindërtuar dukurinë e emigrimit shqiptar në krahinën e Venetos mes shekujve XV e XVI në librin “Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim 1479 – 1552”. Ka studiuar traditën ikonografike të Skënderbeut në anijen e dukëve të Venecias, të famshmen Bucintoro. Ajo ka bërë kërkime edhe  mbi mërgimin e klerikëve katolikë në tokat e Republikës së Përndritur mes shekujve XV dhe XVI, në lidhje me porositjen e veprave të artit., etj.

“Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (nga historia te miti: shekujt XV-XVIII)” është vepra më e fundit e albanologes Lucia Nadin, nominuar për çmimin shkencor ndërkombëtar për studime shqiptare “Trinia e albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokl” nga Akademia e Shkencave.

Në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike që do të mbahet deri më 27 nëntor prof. Lucia Nadin ka prezantuar temën “Venecia dhe Shqipëria: bilanci i studimeve dhe rrugët e kërkimit në të ardhmen”.

“Për sa i përket historisë së vonë mesjetare të Shqipërisë dhe lidhjeve të saj me Republikën e Venedikut, rikthimi i Statuti di Scutari (Statuteve të Shkodrës) ka krijuar perspektiva të reja në aspektin e Shqipërisë bregdetare, brenda një sistemi Adriatiko-Joniano-Mesdhetar dhe rrjedhimisht edhe europian. Ky sistem do të duhet të studiohet në thellësi, me hulumtime krahasuese ndërmjet qyteteve bregdetare lindore dhe perëndimore të “Gjirit të Venedikut”, si dhe mbi qytetet e ndryshme të atij “Komonuelthi të Venedikut” pjesë e të cilit u bë edhe Shqipëria bregdetare.”, tha Lucia Nadin.

Ajo theksoi se studimi i diasporës shqiptare mbi tokat e Serenissima-s, pas vdekjes së Skënderbeut, transferimi i Shkodrës pas dy rrethimesh historike dhe humbja e Durrësit, ka hapur skenarë të gjerë, duke treguar tipare të ndryshme nga diaspora në jug të Italisë.  “Dorëshkrimi i sapogjetur, De obsidione scodrensi i Marino Barlezio, do të çojë në përfundime të reja, edhe në krahasimi me tekstet e Marino Becichemo-s, për të cilin ne ndiejmë keqardhje për mungesën e studimeve.

Hulumtimi mbi Mesharin e Gjon Buzukut ka konfirmuar botimin e tij në një shtëpi botuese në Venedik dhe audiencën e synuar: emigrantët shqiptarë.

Hulumtimi është i hapur në arkiva të dioqezave të ndryshme për të kuptuar kriteret, sigurisht jo rastësore, të shpërndarjes së emigrantëve fetarë, që shpesh porositnin vepra arti.

Dy ikonat e Skënderbeut dhe Shkodrës u bënë pjesë e miteve vetëkremtuese të Venedikut: shfaqja e tyre e pashembullt në dramë, letërsi dhe art ka dëshmuar gjallërinë e tyre gjatë shekujve, gjithmonë të ripërtërirë gjatë zhvillimit të historisë së Republikës dhe përtej. Edhe në këtë rast, kjo thekson nevojën për hulumtim të mëtejshëm.”, tha prof. Nadin.

 

 

 

Sir Noel Malcolm pranohet anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. 

 

 

Sir Noel Malcolm është shpalluar anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në mbledhjen e asamblesë pas përfundimit të Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike që u mbjat nga datta 15-27 nëntor.

Sir Noel Malcolm është profesor i shquar britanik në shkencën e historisë europiane të kohës së re, i specializuar në orientalistikë, veçmas për historinë e ish-perandorisë otomane dhe raportet e saj me Ballkanin dhe Europën. Veprat e tij më të rëndësishme që i kanë dhënë njohje ndërkombëtare lidhen me popujt e këtij rajoni dhe veçanërisht shqiptarët.

Sir Noel Malcolm prej më se dy dekadash i është kushtuar historisë së shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri gjatë shekujve XVI-XVII. Veprat themelore të tij në këtë fushë janë: 1. Kosovo. A short History (1998) – Kosova një histori e shkurtër; 2. Agents of Empire (2015) – Agjentë të Perandorisë; 3. Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians (2020) – Rebelë, besimtarë, mbijetues: studime në historinë e shqiptarëve. Sir Noel Malcolm është autor i dhjetëra artikujve shkencorë të botuar në revista të mirënjohura dhe në përmbledhje studimesh kushtuar historisë së shqiptarëve, histories   së popujve të Ballkanit dhe marrëdhënieve mes tyre.

Me veprat e tij, prof. Noel Malcolm ka dhënë një kontribut thelbësor për çmitizimin e historisë, për çmontimin e disa tezave të gabuara mbi të cilat është bazuar shpesh rrëfimi i historisë së vetes dhe tjetrit në historiografitë e vendeve të Ballkanit. Në veprën Agents of Empire (2015), Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians, bazuar në një njohje sovrane të burimeve arkivore, të atyre tregimtare e të literaturës së specializuar, prof. Malcolm jep një kuadër impresionues të historisë së botës adriatiko-mesdhetare e të mbarë Europës së shek. XVI-XVII duke ndjekur fatet e anëtarëve të familjes shqiptare Bruni nga Ulqini, nga e cila dolën luftëtarë, intelektualë, klerikë e diplomatë të shquar e të vlerësuar sa në oborret Europës, aq edhe në perandorinë lindore të sulltanëve. Analizat e prof. Malcolm janë gjithëpërfshirëse, duke u dhënë vendin e duhur faktorëve politikë, ushtarakë, socialë, ideologjikë e kulturorë, të cilët, të gjithë së bashku, lëvizin përpara procesin historik.

Më shumë

Promovohet studimi monografik “Banda kombëtare “Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane” e autorit akad. Vasil S. Tole

Monografia “Banda Kombëtare Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane e autorit akademik Vasil S. Tole, që i kushtohet historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 për të nxitur ndjenja entuziaste besimi dhe frymë atdhetare në popull, pas rikonfirmimit të Pavarësisë me Kongresin e Lushnjes, u promovua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. […]

“Western Balkans Youth Orchestra”: Orkestër e re kundër konflikteve të vjetra

Ata vijnë nga vende që përpara 30 vjetësh luftonin brutalisht njeri-tjetrin. 25 të reja e të rinj takohen tani në turne koncertesh për të bërë muzikë së bashku. “Western Balkans Youth Orchestra” nis turneun e koncerteve.   Ata të gjithë janë fëmijë të luftës, të të ashtuquajturave „luftëra të Jugosllavisë”. Tani ata takohen për […]

Shqipëria në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino, me më shumë se 200 tituj

Shqipëria dhe letërsia e saj janë të pranishme edhe këtë vit, me një stendë të posaçme, në Panairin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 33-të i të cilit zhvillohet në Torino nga data 14 deri më 18 tetor 2021.   I vizituar çdo vit nga qindra mijëra vizitorë nga e gjithë Italia, Panairi Ndërkombëtar […]

Zbulohet stera 2300-vjeçare në sitin arkeologjik të Bylisit

Neritan Ceka: I përket shekullit III para Krishtit. Stera është e gjatë 50 metra dhe e thellë 8 metra dhe e mbuluar nga një sistem harqesh. Kërkimet arkeologjike në Bylis kanë nisur nga njësia e re “ArkeoBylis” e ngritur në Akademinë e Shkencave, kryesuar nga Neritan Ceka. Skënder Muçaj: Janë zbuluar dhe objekte të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara