Saturday 10 June 2023
Saturday 10 June 2023

 

Militantët në Rripin e Gazës lëshuan raketa në drejtim të Izraelit dhe në anën tjetër, avionët izraelitë bombarduan objektiva në territorin palestinez.

 

Incidentet vijnë pas nënshkrimit të marrëveshjeve historike për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe dy shteteve arabe të Gjirit.

 

Ushtria izraelite tha se kishte nisur rreth dhjetë sulme ajrore në Gaza më 16 shtator. Siç njoftohet, 15 raketa u lëshuan nga territori i Gazës në drejtim të komuniteteve izraelite pranë kufirit.

 

Lëvizja Hamas, që kontrollon Rripin e Gazës, konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

 

Më 15 shtator, një raketë nga Gaza goditi qytetin bregdetar izraelit Ashdod, duke plagosur dy njerëz, ndërsa Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni nënshkruan marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë për të vendosur marrëdhënie diplomatike.

 

“Nuk jam i befasuar që terroristët palestinezë qëlluan në drejtim të Izraelit pikërisht gjatë kësaj ceremonie historike”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, derisa po largohej nga Uashingtoni.

 

“Ata duan ta përmbysin paqen. Por, ata nuk do të kenë sukses”, u tha Netanyahu gazetarëve, duke shtuar se “ne do të godasim të gjithë ata që ngrenë dorën për të na dëmtuar, dhe ne do të zgjasim dorën në drejtim të gjithë atyre që duan paqe”.

 

Më 16 shtator, Hamasi paralajmëroi Izraelin se “do të paguajë çmimin për çdo agresion kundër popullit tonë ose vendeve të rezistencës dhe se reagimi do të jetë i drejtpërdrejtë”.

 

Palestinezët, të cilët kërkojnë një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor të okupuar dhe në Gaza, i shohin marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja dhe të nënshkruara në Uashington, si një tradhti ndaj kauzës së tyre.

 

Marrëveshjet nuk adresojnë konfliktin izraelito-palestinez. Palestinezët kanë refuzuar normalizimin e raporteve të vendeve arabe me Izraelin duke thënë se kjo është një “thikë pas shpine” ndaj përpjekjeve për shtetësi.

 

“Paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon nuk do të arrihen derisa të përfundojë pushtimi izraelit”, tha udhëheqësi palestinez, Mahmud Abbas.

 

Marrëveshja mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit përfshin një premtim për të pezulluar aneksimin izraelit të pjesëve të Bregut Perëndimor të pretenduara nga palestinezët. Vendet e Gjirit kanë thënë se kjo pikë e marrëveshjes siguron interesat palestineze.

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjeve.

 

“Pas dekadave të ndarjes dhe konfliktit, ne shënojmë agimin e një Lindjeje të re të Mesme” tha Trump, raporton rel.

 

Në ceremoni morën pjesë ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe ministri i Jashtëm i Bahrejnit, Abdullatif al-Zayani.

 

Ministri i jashtëm i Emirateve falënderoi Izraelin për “pezullimin e aneksimit të territoreve palestineze”.

 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur se Izraeli ka pezulluar vetëm përkohësisht planet e tij për të aneksuar vendbanimet e Bregut Perëndimor, dhe se ka përdorur normalizimin e raporteve me vendet arabe për të treguar aftësinë e tij për një arritje diplomatike historike.

 

“Kjo është një ditë kyçe e historisë”, tha Netanyahu, duke shtuar se “ajo paralajmëron një agim të ri të paqes.”

 

Gjithsej katër vende arabe e njohin Izralin. Para Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit, njohjen e Izraelit e kishin bërë Egjipti dhe Jordania.

 

Marrëveshja, në shumë mënyra, zyrtarizon marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa shteteve arabe që janë kultivuar në heshtje gjatë disa viteve të fundit. Këto raportet janë mbështetur nga Uashingtoni dhe u zhvilluan pjesërisht për shkak të shqetësimeve të përbashkëta për Iranin.

 

Normalizimi është gjithashtu i rëndësishëm lidhur me paralajmërimet e presidentit Trump se më shumë vende arabe dhe myslimane do të ndjekin shembullin e Emiratave dhe Bahrejnit.

 

Analistët thonë se Omani, Sudani, Maroku, madje edhe Arabia Saudite mund të jenë shtetet e rradhës që do të njohin shtetin hebre.

 

Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, presidenti Trump tha se palestinezët me gjasë do të bashkohen në një marrëveshje për paqe me Izraelin “përndryshe, ata do të lihen jashtë në të ftohtë”.

 

Më shumë

Duke shpresuar se Omicron nuk do të shkatërrojë Krishtlindjet, Betlehemi ndez dritat e pemës

BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]

Zgjerimi i ndikimit turk rrit tensionet me Iranin

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit.   Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.     Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]

Izraeli mohon akuzat për spiunazh në Turqi

Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.   Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë.   Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara