e premte 19 gusht 2022
e premte 19 gusht 2022

 

 

Vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë, në veriun e banuar me shumicë serbe, mbetet i bllokuar nga grupe qytetarësh serbë, që po protestojnë kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

 

Nga e hëna, makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë. Fillimi i zbatimit të këtij vendimi është masë e ndërsjellë meqë njësoj veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.

 

Çështja e targave ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Sipas saj banorët e Kosovës duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të heqin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës lëshoheshin nga ministria e Brendshme e Serbisë.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se 15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej lëvizja e makinave me çfarëdo tabelash përveç atyre me shenjën RKS. Sipas marrëveshjes, deri më 15 shtator lejohej hyrja në Serbi e makinave me targat që mbanin shenjën KS.

 

Autoritetet në Beograd reaguan me zemërim ndërsa presidenti i Serbisë, tha të martën pasi mblodhi Këshillin Kombëtar të Sigurisë se zgjidhja e situatës aktuale është tërheqja e të gjitha trupave nga veriu i Kosovës dhe kthimi në gjendjen para veprimeve të qeverisë së Kosovës.

 

Ai tha se ka biseduar me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore dhe se sipas tij ka marrë një propozim nga Bashkimi Evropian për një marrëveshje kompromisi.

 

“Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është një zgjidhje kompromisi, por një zgjidhje që do të poshtëronte Serbinë. Është një zgjidhje që do të bënte 70 për qind të asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin në vijën administrative. E refuzova atë sepse jam lodhur nga politika e aktit të kryer dhe ju nuk mund të flisni kështu me Serbinë,” tha ai.

 

Presidenti serb tha se ditëve në vijim do të diskutohen masat shtesë nëse nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit në Prishtinë.

 

“Ne duam të tregojmë vullnet të mirë dhe të lëmë ca kohë disave në Prishtinë për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse ata nuk duan, ne do të marrim masa për të mbrojtur interesat e Republikës së Serbisë dhe për këtë i informova anëtarët e Quinit-it dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Unë nuk kam fshehur asgjë para tyre, u kam thënë gjithçka në fytyrë”, tha ai, duke nënvizuar se do të kërkojë përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian, nëse marrëveshjet e Brukselit janë të vlefshme apo jo.

 

“Ne do të kërkojmë një përgjigje. Heshtja do të jetë një shenjë e qartë se marrëveshja nuk ekziston dhe se ata nuk duan formimin e Asociacionit të komunave serbe,dhe atëherë të gjithë e dimë që ajo nuk ekziston. Thelbi i marrëveshjes është Asociacioni”, tha ai.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se vendimi për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve me Serbinë është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

 

“Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se me veprimet e djeshme është zbatuar ligji dhe është siguruar trajtimi i barabartë dhe se vendimi nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt.

 

Pas një takimi me diplomatët e vendeve kryesore perëndimore dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, kryeministri Kurti tha nëpërmjet një komunikate se te reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajnë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqin ato edhe Kosova edhe Serbia.

 

Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, qëndrueshmërinë dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit Albin Kurti.

 

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të dyja palëve që “të ulin tensionet menjëherë dhe pa vonesë”.

 

I dërguari i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se është i shqetësuar bëri thirrje për një ulje të menjëhershme te tensioneve. Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se “është e rëndësishme të ulen tensionet, të rivendoset një mjedis paqësor dhe të lejohet liria e lëvizjes. Ne jemi të gatshëm për të lehtësuar bisedimet për të gjitha çështjet e hapura në dialog”, shkroi ai.

 

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë.

 

Por, ajo është përfshirë në një proces tashmë dhjetë vjeçar të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në shkëmbim të përparimit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

Më shumë

Kosova ftohet në takimin e lartë për demokraci

Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me […]

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.   Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën […]

Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.   Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e […]

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.   Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara