Sunday 24 September 2023
Sunday 24 September 2023

 

Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot Raportin mbi Agjendën e Investimeve dhe 40 Rekomandime mbi Përmirësimin e Klimës së Biznesit në Shqipëri.

 

Krahas një strategjie për thithjen e investimeve të huaja, Dhoma Amerikane shtimin e masave kundër korrupsionit.

 

Raporti u përgatit pas intervistimit të 220 bizneseve shqiptare dhe ndërkombëtare mbi punën dhe vështirësitë e tyre konkrete në terren.

 

Në raport thuhet se rasti kur një investues amerikan i profilit të lartë nuk mundi të investonte në aeroportin kryesor të Shqipërisë, nxori në dritë problemet e mëdha me zbatimin e kontratave.

 

Shqipëria zbriti 19 pikë në renditjen e Bankës Botërore, sipas Raportit të saj “Bëj Biznes”, duke humbur terren përballë ekonomive konkurruese rajonale.

 

Ndërkohë, në Indeksi Vjetor i Biznesit të AmCham besueshmëria ra me 5 pikë përqindje – rënia më e madhe e besimit të komunitetit të AmCham në tetë vjet.

 

Këto tre zhvillime e shtynë AmCham të rendiste 40 rekomandime autoriteteve shqiptare për të përmirësuar konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

 

Më kryesori sipas saj, është hartimi i një strategjie për të tërhequr investimet e huaja direkte në sektorët strategjikë të ekonomisë, dhe vëzhgimi i saj nga nivelet më të larta të qeverisë.

 

Kjo nevojitet për të fuqizuar këta sektorë, për të ngritur infrastrukturën mbështetëse, për të reduktuar përqëndrimin e tregut dhe proceset e paefektshme.

 

“Zhvillimi dhe zbatimi i një programi efektiv kundër korrupsionit, për të ndërtuar besimin e publikut përmes luftës pa kompromis ndaj kësaj dukurie me masa ndëshkuese dhe me transparencë. Po ashtu nevojitet rritja e transaprencës dhe një sistem i hapur i prokurimeve publike larg ndikimeve politike” – thuhet në Raportin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

 

Mes kërkesave të tjera janë edhe konsultimet publike me qytetarët dhe investuesit, një sistem modern taksash, për të rritur konkurrueshmërinë dhe investimet atraktive, rritja e eksporteve shqiptare ne tregjet ndërkombëtare, zhvendosja nga ekonomia e parave cash tek economia digjitale si dhe trajnimi i punëtorëve në botën post-pandemike.

 

AmCham kreu vitin e fundit një seri vëzhgimesh dhe analiza me ekspertë për të parë klimën e investimeve dhe të biznesit në Shqipëri. “Sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, janë po aq të mëdha sa edhe mundësitë e gjera për t’u shfrytëzuar”, – thuhet në raport.

 

Nga një anë, vëzhgimet e komunitetit të biznesit, që konfirmohen edhe nga raporte të besueshme ndërkombëtare, flasin për një klimë biznesi joefektive dhe të shtrenjtë në Shqipëri, vështirësi u përkeqësuan gjatë periudhës së pandemisë.

 

Por nga ana tjetër, Shqipëria ka vend-ndodhje dhe burime natyrore si dhe një fuqi punëtore të talentuar.

 

“Hapat e reja drejt BE-së dhe marrëveshja e fundit ekonomike me SHBA-të ofrojnë mundësi unike e të mëdha në periudhë afatgjatë” – theksohet në raport.

 

Edhe organizata të tjera biznesi dhe qendra studimore vlerësojnë se korrupsioni mbetet pengesë kryesore në zhvillimin e Shqipërisë, sepse është ngritur deri në nivelin e kapjes së shtetit.

 

Drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se raporti i sotëm i Dhomës Amerikane është edhe një tjetër konfirmim shqetësues i studimeve të Qendrës mbi përkeqësimin e klimës së biznesit, sidomos vitet e fundit.

 

“Përkeqësimi i menjëhershëm i statusit të vendit në perceptimin e besimit të komunitetit të biznesit amerikan në ekonominë tonë është një sinjal që qeveria duhet të ndryshojë kursin e shpallur të reformave për t’u fokusuar në probleme që ndihmojnë në shëndoshjen e gjendjes dhe daljes nga kjo situatë krize dhe rrethi vicioz, ku premohen reforma dhe ato nuk ndërmerren” – tha zoti Preçi.

 

Ngadalësia në reformimin e drejtësisë, sipas tij, ka vonuar edhe zgjidhjen e mospajtimeve midis bizneseve mes tyre dhe midis bizneseve dhe qeverisë, e cila e ka shtuar arbitraritetin ndaj tyre, ndërsa vendim-marrja është përqëndruar në pak duar.

 

“Sistemi i prokurimit, megjithë uljen e numrit të rasteve me prokurim të drejtpërdrejtë pa negocim pa shpallje publike, përsëri vazhdon të jetë një atribut i një numri të kufizuar sipërmarrjesh të njohura si klientë të qeverisë dhe si oligarkë” – tha zoti Preçi.

 

Problemi tjetër më i madh është ndryshimi i shpeshtë i akteve ligjore pa u konsultuar me grupet e interesit dhe që shpesh dëmtojnë bizneset në garën mes tyre. Gjergj Buxhuku, drejtues i organizatës Alb-konfindustria dhe Qendrës Studimore të saj, thotë se në 30 vite edhe korrupsioni shqiptar është zhvilluar dhe modernizuar shumë nga dhënia e parave në zarfe e deri në nivelin e kapjes së shtetit, state capture.

 

“Sot, sëmundja e rëndë e korrupsionit, ose shfaqja më e dukshme e korrupsionit, ajo që ka pasoja më të rënda për mjedisin e biznesit, për qytetarët dhe vet demokracinë shqiptare, është korrupsioni i tipit të kapjes së shtetit. Korrupsioni State Capture është korrupsioni, i cili bëhet kryesisht në tregjet strategjike, pra, në tregjet më të rëndësishme të vendit. ky është një lloj korrupsioni, ku edhe sistemi gjyqësor e ka të vështirë të depërtojë për të ndëshkuar” – tha zoti Buxhuku.

 

Shpresa më e madhe, sipas tij, mbetet reformimi i thellë i sistemit të drejtësisë, që ai të godasë kapjen e shtetit.

 

“Ka ardhur koha që edhe një herë të mbështesim me të gjithë fuqitë tona reformimin e thellë e të shpejtë në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që ky të depërtojë në atë korrupsion të rëndë në nivelet e larta, i cili është edhe mjaft i ndërlikuar për t’u trajtuar ashtu si duhet dhe për t’u zgjidhur” – tha zoti Buxhuku.

 

Dhoma Amerikane e Tregtisë deklaroi në konferencën vjetore të pranverës se presioni i efekteve të pandemisë mbi bizneset është i jashtëzakonshëm, në klimën problematike të biznesit komuniteti i investitorëve ka mungesë besimi, ndërsa korrupsioni, kërcënimi më i madh për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.

 

“Asnjë nga mundësitë për zhvillim dhe biznes që ofron vendi nuk do të japë frytet e pritshme pa luftuar korrupsionin, që është një nga 3 pengesat më të mëdha të qarqeve të biznesit” – tha në mars Presidenti i AmCham, Enio Jaço.

 

Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerësoi se mundësitë për rritjen ekonomike të Shqipërisë janë të shumta, por duhet përmirësuar klima dhe besimi i komunitetit të bizneseve, duke përfituar nga pozicioni strategjik në rajon. VOA

 

 

 

Më shumë

Në gjashtë mujorin e parë të vitit më tepër mallra u transportuaran nëpërmjet hekurudhës

Gjatë gjysmës së parë të vitit volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë llogaritet 14.9 milionë ton-kilometër.   Sipas raportit të publikuar së fundmi nga INSTAT volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë u rrit me 23,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020-ës.   Por volumi i mallrave të transportuara […]

Gati 10 miliardë lekë eksportet drejt Kosovës, kryesojnë materialet e ndërtimit dhe metalet

Shqipëria dhe Kosova po zgjerojnë marrëdhëniet e tyre tregtare në vitet e fundit. Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-prill arritën gati 10 miliardë lekë, ndërsa importet llogariten gati 3 miliardë lekë.   Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të […]

Shtëpitë u shtrenjtuan 11 %. Rritja më e lartë është në Tiranë dhe në zonat bregdetare

Çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë parë rritje të vazhdueshme ndër vite, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë blerjen e një banese. Veç qendrës së kryeqyteti ku çmimet arrijnë deri në 3200 euro/m2, shtrenjtim kanë parë edhe zonat periferike. Eksperti për pasuritë e paluajtshme Lefter Sila shpjegon se me gjithë çmimet e […]

“Bitcoin” futet në tregun shqiptar

Qeveria është duke i hapur rrugë dhënies së licencave në prodhimin dhe shitjen e monedhës Bitcoin. Përmes një projektligji të depozituar në Kuvend, Këshilli i Ministrave propozon të shtojë në ligjin bazë të lejeve dhe licencave edhe ato në sektorët e teknologjisë financiare.   Dy janë licencat bazë që do të jepen në fushën […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara