e diel 24 tetor 2021
e diel 24 tetor 2021

 

Një termet me magnitudë 6.4 rihter goditi Kroacinë të martën, ndërsa shërbimet emergjente njoftojnë se shumë njerëz janë lënduar. Filmimet tregojnë njerëz që shpëtohen nga rrënojat pranë epiqendrës së tërmetit.

 

Qendra Gjermane për Kërkime Gjeoshkencore (GFZ) thotë se termeti goditi në një thellësi prej 10 kilometrash. Kanali televiziv N1 njoftoi se epiqendra ishte në qytetin Petrinja, rreth 50 kilometra nga kryeqyteti Zagreb. Autoritetet njoftojnë se një vajzë e vogël humbi jetën.

 

Pamjet televizive tregonin ekipet e shpëtimit teksa nxirrnin nga rrënojat një burrë dhe një fëmijë. Që të dy ishin gjallë. Pamje të tjera tregonin një shtëpi që i kishte rënë çatia brenda, ndërsa gazetarja thotë se nuk dihet nëse kishte njerëz brenda.

 

Tomislav Fabijanic, i cili drejton sherbimin mjekësor të urgjencës në Sisak pranë qytetit Petrinja, tha se kishte shumë të plagosur në të dy qytetet.

 

“Ka njerëz me fraktura dhe tronditje dhe disa duheshin operuar,” tha ai.

 

Agjencia sllovene e lajmeve STA tha se centrali i vetëm bërthamor i Sllovenisë, i cili ndodhet 100 kilometra nga epiqendra e termetit, ishte mbyllur si masë paraprake.

 

Lëkundjet u ndjenë në Zagreb, ku njerëzit dolën me shpejtësi nëpër rrugë, disa prej të cilave ishin mbuluar nga tjegullat e thyera të çative dhe mbeturina të tjera. Termeti u ndje edhe në Bosnjë dhe Serbi.

 

Të hënën një termet me magnitudë 5.4 goditi Kroacinë qendrore, po ashtu pranë qytetit Petrinja. Në muajin mars, një termet me magnitudë 5.3 goditi Zagrebin duke shkaktuar një të vdekur dhe plagosur 27 të tjerë.

 

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara