Aid Mehmedovic nga qyteza Tutin pranë Nozi Pazar në Serbi, pushimet e këtij viti vendosi t’i kalojë në bregdetin e Durrësit. Me bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël, ata kaluan 10 ditë në një hotel pranë “Shkëmbit të Kavajës”, në Golem.
“Vëllai im ishte këtu vitin e kaluar dhe këtë vit. Ai ma rekomandoi këtë vend. Njerëzit këtu janë mikpritës, çmimet nuk janë të larta dhe plazhi është shumë afër hotelit. E vetmja gjë problematike janë kandilët e detit, asgjë tjetër” – thotë ai për Deutsche Welle.
Por vëllai duket se nuk ka qenë i vetmi që i ka rekomanduar këtë vend pushimi. “Mund të them se nga Tutini vetëm këto dy muaj këtu kanë ardhur më shumë se 20 familje. Të gjithë ata më kanë folur shumë mirë. Askush nuk ka mbetur i zhgënjyer”.
Gjatë viteve të shkuara, familja Mehmedovic kishte si destinacion Ulqinin e Malit të Zi. Pandemia, mbyllja e kufijve dhe pamundësia për të udhëtuar në shumë shtete evropiane, bëri që turistët serbë të nisnin eksplorimin nëpër Ballkan. Atyre duket se nuk u intereson dhe aq politika e udhëheqësve apo lajmet që përcillen në media. Ne jetojmë afër Shqipërisë, afër Kosovës. Jemi të ngjashëm dhe s’kemi paragjykime. Mbase ne morën më shumë seç prisnim nga Durrësi dhe Shqipëria, prandaj mendoj se kjo është për t’u vlerësuar” – thotë Aid Mehmedovic.