Ministri Klosi u shpreh se “me gjithë dëshirën për një hapje sa më të shpejtë të qeverisë shqiptare, vendimi i takon institucioneve përgjegjëse, që është shëndetësia dhe taskforca”.

“Formula është të shohim sesi veprojnë partnerët ndërkombëtarë të operatorëve tanë turistikë, por të gjitha gjasat janë që sektori tek ne të hapet më shpejt se rajoni”, – nënvizoi Klosi.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë që turistët e huaj të cilët kanë shprehur dëshirën të pushojnë në Shqipëri dhe janë nga vende më pak të prekura si Çekia, Ukraina etj., të transportohen më charter, por shtoi se nuk mund të flitet për vendimmarrje në këtë rast, pasi kjo do të nënkuptonte kontrata, të cilat nëse nuk realizohen sjellin humbje për të dyja palët.

“Jam optimist, duke parë energjinë që ka turizmi në Shqipëri, i kemi mundësitë që të bëjmë një lëvizje të shpejtë në treg”, tha Klosi.

Ministri e përjashtoi mundësinë që këtë vit të kemi plazhin klasik me grumbullime e festa, pasi kjo gjë tha ai është e pamenaxhueshme, por shtoi se po diskutohen të gjitha mundësitë që mund të ofrojnë strukturat hoteliere në Shqipëri.

“Do kemi rregulla për hotelerinë, që nga ushqimi i ofruar në mënyrë individuale, jo në restorante, në bare, në natyrë apo me distancë”, tha ai.

Klosi u shpreh se “turizmi është sektori që ka përfituar nga të dyja paketat financiare të qeverisë”. atsh