e premte 3 dhjetor 2021
e premte 3 dhjetor 2021

Intervistë me Arben Çipa, Shoqata e Hotelierëve në Sarandë

 

 

Saranda, që pati vitin më të mirë turistik këtë verë, pas një sezoni të dobët të vitin 2020, duket se ka gjetur sekretin për suksesin. Arban Çipa, nga Shoqata e Hotelierëve në Sarandë, shprehet se modeli i kombinuar mes turizmit ekskluziv dhe atij masiv ka rritur interesin për qytetin më jugor të vendit.

 

Si ishte sezoni veror këtë vit në këndvështrimin tuaj dhe specifikisht për Sarandën që ka pasur një sezon që ra në sy për nga numri i lartë i vizitorëve, pavarësisht situatës së pandemisë?

Ishte një sezon i mirë, që do të thotë pak a shumë në nivelet e 2019-s që ka qenë viti më i mirë turistik i Shqipërisë. Mund të ketë një luhatje të lehtë me 20 për qind më pak, ndoshta për Sarandën, por në tërësi ishte shumë herë më mirë sesa e prisnim.

 

Cilët ishin tregjet që mbizotëruan në këtë sezon në Sarandë?

Ishin disa tregje që patën një numër të konsiderueshëm turistësh dhe ndër ta do të veçoja tregun ukrainas, atë serb por u vu re edhe një prani në rritje që nuk e kemi parë vitet e tjera me turistë francezë dhe gjermanë të pavarur. Janë mosha të reja, që kishin zgjedhur Sarandën për ta vizituar.

Periudha që pati edhe numrin më të lartë të rezervimeve ishte nga fillimi i korrikut deri më 6 shtator kur kapacitetet kanë qenë të rezervuara 100 për qind. Bëhet djalë për hotelet dhe apartamentet në vijën e parë dhe të dytë, ndërkohë që në vijën e tretë dhe të katërt, rezervimet pësuan disi rënie me mbylljen e gushtit.

 

Po sa u takon tregjeve të rajonit, si ishte prania në Sarandë nëse kemi këtu parasysh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut?

Shqiptarët e Kosovës ishte mirë në shifra këtë vit. Në Sarandë madje ishte ai grup që edhe paguan mirë, që ka një buxhet të pakursyer për pushimet. Bëhet fjalë për atë shtresë me mundësi të mira ekonomike që jetojnë në Kosovë, si dhe diaspora e saj. Nga ana tjetër, numri i turistëve nga Maqedonia e Veriut ishte me rritje në raport me vite më parë dhe mendoj se këtu ndikon fakti që Greqia ishte e mbyllur dhe ata e preferojnë si vend për pushimet e tyre në mënyrë tradicionale.

 

Po sa u takon çmimeve si vijuan ato, pasi u raportua për një rritje të tyre që vjen normalisht edhe si efekt i rritjes së kërkesës?

Çmimet ishin ekonomike në fillim të sezonit, ishin pak a shumë në të njëjtat nivele të vitit të vështirë 2020. Në mes të qershorit dhe më tej pati një rritje të tyre, duke u kthyer në të njëjtin nivel si vitin 2019 dhe kjo qëndroi për tre muajt të verës.

 

Bregdeti i Jugut është përfshirë vitet e fundit nga një numër i madh projektesh me fshatra turistikë dhe hotele. Po Saranda specifikisht si po qëndron në këtë drejtim, a ka ndikuar mënyra si është ndërtuar dhe kapacitetet në fluksin turistik të zonës?

Saranda është një qytet më i madh sa i takon hartës së bregdetit dhe kjo është bërë e mundur nga operatorët që kanë investuar dhe sipërfaqet janë të konsiderueshme. Turistët kanë mundësi shumë më të madhe për akomodim pasi Saranda në 60-70 për qind ka shtrirje në breg të detit (pra subjektet hoteliere).

Ksamili, nga ana tjetër, ka një vijë bregdetare të konsiderueshme, por turistët janë të detyruar në njëfarë mënyre të frekuentojnë pjesën qendrore të tij, pasi kanë afër hotelet. Ksamili preferohet edhe nga turistët që qëndrojnë në Sarandë dhe kjo krijon një lloj mbingarkese në plazh dhe një rënie të lehtë të shërbimit.

Nëse elementet do t’i analizojmë më vete sa u takon hoteleve mund të themi se tashmë në zonën e Sarandës është krijuar një kategori hotelesh me vlerësim maksimal. Në mënyrë automatike, vetë tregu po krijon një status të veçantë për zona të caktuara dhe ky status vjen si pasojë e mënyrës së ndërtimit, tipologjisë së akomoditmit dhe zonave që nuk janë të mbingarkuara.

Ndërtimi i disa vilave në zonën e Çukës, po bën përcaktimin e zonave që do të jenë për një trajtim tjetër të klientit, ekskluziv, me shërbime të natyrave të ndryshme nga ajo tradicionale dhe që lidhen me kërkesat e klientëve që kanë eksperiencë dhe duan të trajtohen ndryshe nga klientët e tjerë. Trajtim më privat si në hapësirë akomodimi, qetësi apo distance nga zonat e populluara.

 

Cilat janë elementet e tjera që mendoni se kanë bërë një diferencë këtë sezon në Sarandë, po destinacionet apo paketat që kanë ngjallur interes?

Viti 2021 mund të them se ishte një fillim i suksesshëm, edhe sepse u bashkuan dy faktorë. I pari Bulevardi i Ri që i dha ngjyra, ndriçim kohor qytetit, pavarësi lëvizjes së qytetarëve. Mund të them se ishte një hapësirë që përballoi edhe periudhën më të ngarkuar që ishte gushti sa u takon turistëve.

Së dyti, trendi i ri i anijeve turistike. Ky trend i ri për realitetin shqiptar në këtë zonë bëri të mundur orientimin e turistit që shkel në Sarandë dhe Ksamil të lidhet më shumë me detin dhe të trajtohet në një formë tjetër. Më parë, deti shihej vetëm si hapësira e notit, ndërkohë që me zhvillimin e industrisë detare turistike, janë vizituar edhe plazhe si Krorëza apo dhe të tjera që nuk kanë qenë shumë të aksesueshme. Kjo përvojë ka qenë e kombinuar me shërbime të aktiviteteve sportive, me gastronominë.

Një tjetër eksperiencë që ofrohet dhe që pëlqehet shumë në zonën e Sarandës është ajo e Jeep Safari. Ka suksesin më të madh pasi alternon vizitën në bregdet dhe në fshatra të zonës ku ofrohen plazhi, natyra, historia, kulinaria në një ditë. Ata që e preferojnë më së shumti këtë eksperiencë janë polakët.

Ky treg është tregu më i madh dhe me potencialin më të madh turistik. Edhe në tërësi mendoj se e e ka shpëtuar tregun shqiptar në ditët e mira dhe të vështira siç ishte viti i shkuar. Kohët e mira kanë qenë ato kur ka nisur turizmi i organizuar dhe është pikërisht ky treg që i bëri të mundura këto kohë dhe rritjen graduale të turizmit të organizuar.

 

A janë nënshkruar kontratat për në vazhdim dhe si e prisni të jetë viti 2022?

Kontratat janë nënshkruar dhe janë 3-vjeçare, 2022-2024. Përfshijnë struktura në zona si Durrësi, Vlora dhe Saranda, por nuk kanë vetëm pushime plazhi, det dhe rërë, por edhe ture kulturore që përfshin një pjesë të madhe të territorit në vend alternuar edhe me Maqedoninë.

Polakët kanë nisur t’i aplikojnë turet kulturore përmes kompanisë “Rainbow” prej kohësh. Vitin tjetër mendoj se situata e pandemisë do të jetë një çështje e mbyllur dhe do të kthehemi në normalitet me disa rregulla që do të jenë të përballueshme nga çdo kategori turisti. Monitor

 

Më shumë

Konfirmohet “Kala Festival” Shtator 2020 në një nga vendet më mahnitëse të Rivierës Shqiptare

“Kala Festival” një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë që të shijojnë muzikën e Dj-ve më të mirë, duke eksploruar Rivierën Shqiptare, me shpellat, kështjellat, kanionet dhe panoramën bukur të plazheve të cilësuar si ndër më të mirët në Mesdhe.   Me këtë vlerësim dëshmohet edhe njëherë misioni i Kala Festival në promovimin e turizmit. […]

Ministri i turizmit: Për vitin 2020, shpresoj që t’i kalojmë 7 milionë turistë të huaj 

Ndonëse tërmeti i 26 nëntorit i ka dhënë një goditje të fortë turizmit, ministri i Turizmit pret që gjatë vitit 2020, Shqipërinë ta vizitojnë rreth 7 milionë turistë. Ministri, Blendi Klosi duke folur në studion e Euronews Albania, tha se këtë vit pritet që të ketë sërish rritje pasi këtë e tregojnë dhe të dhënat për […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara