e martë 25 janar 2022
e martë 25 janar 2022

 

Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit refuzojnë ta takojnë kryeministrin e Kosovës. Ata kërkojnë që më parë Kurti të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që pronat përreth Manastirit të regjistrohen si prona të Kishës.

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ditë më parë i dërgoi një letër kryemurgut të Manastirit të Deçanit Sava Janjiç, ku shpreh dëshirën që ta vizitojë Manastirin dhe të bisedojë me zotin Janjiç. Por, ky i fundit duket se nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Kryeministri Kurti, në letrën e tij, thotë se vetëm me komunikim të sinqertë mund të arrihet mirëkuptimi, zgjidhja e sfidave dhe largimi i paragjykimeve. Manastiri i Deçanit kërkon prej disa vjetësh që tokat përreth të regjistrohen nga komuna e Deçanit si prona të Manastirit.

 

Në përgjigje të letrës së kryeministrit Kurti, në një njoftim publik nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit thuhet se është “krejtësisht e pakuptimtë” që t’i përgjigjet letrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilën ia ka dërguar abatit të manastirit të Deçanit, Sava Janjiç.

 

Arsyeja që udhëheqësit e Manastirit të Deçanit refuzojnë ta takojnë kryeministrin e Kosovës është siç thuhet në komunikatë “mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronën e manastirit të Deçanit”.

 

“Lidhur me letrën që zoti Albin Kurti ka dërguar në manastirin ortodoks serb të Deçanit të Lartë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit mbetet në qëndrimin e saj të deklaruar në mënyrë të qartë më parë, se nëse institucionet shqiptare të Kosovës dëshirojnë të tregojnë një minimum të vullnetit të mirë për të respektuar të drejtat fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ato janë të obliguara që të përmbushin plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, për njohjen e pronës së Manastirit ”.

 

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vjet më parë i njohu Manastirit të Decanit pronat përreth tij, të cilat kontestohen nga Komuna e Deçanit. Kjo e fundit, nuk i ka regjistruar në kadastër këto prona si prona të Kishës.

 

Letra e kryeministrit Kurti dërguar kryemurgut të manastirit të Deçanit Sava Janjiç, është në funksion të dialogut me klerikët dhe sipas Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Hajrulla Çeku, “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe në veçanti të kishave ortodokse”.

 

“Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme”, shkroi ministri Çeku duke shtuar se “Qeveria e Kosovës do të kujdeset për të gjitha monumentet e kulturës në veçanti për kishat dhe manastiret ortodokse”.

 

Komuna e Deçanit: pronat rreth Manastirit të ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”

 

Udhëheqësit e komunës së Deçanit thonë se pronat përreth Manastirit të Deçanit, që janë 24 hektarë u përkasin ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk i kanë takuar Manastirit. Në vitin 1997, autoritetet e atëhershme serbe me në krye Slobodan Milosheviçin, vendosën që pronat përreth Manastirit të Deçanit t’i takojnë këtij Manastiri. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse autoritetet e komunës së Deçanit refuzojnë t’i legalizojnë këto prona, pavarësisht vendimit të pesë viteve më parë, kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës i njohu këto prona si prona të Manastirit. E prania ndërkombëtare në Kosovë, po kërkon me ngulm respektimin e këtij vendimi.

 

Ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara, QUINT-it i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, inkurajuan Qeverinë e Kosovës që pa vonesa të mëtejshme të vazhdojë regjistrimin ligjor në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

 

“Më 22 Mars, Qeveria e re është emëruar me mandat të fuqishëm për reforma dhe respektimin e sundimit të ligjit. Një nga provat kryesore e vendosmërisë së tij do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i marrë në maj 2016 mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Respektimi i sundimit të ligjit është detyrim për të gjitha qeveritë. Shefat e Misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara inkurajojnë fuqishëm Qeverinë e Kosovës që pa vonesa të mëtejshme të vazhdojë me regjistrimin ligjor në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e QUINT-it.

 

Por qeveria e Kosovës akoma nuk ka marrë ndonjë vendim që të detyrojë komunën e Deçanit t’i regjistrojë pronat përreth manastirit si prona të Kishës. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu tha për mediet lokale se “qeveria e kupton ndjeshmërinë e çështjes dhe se është e vetëdijshme që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen”, por ai thekson se “duhet të kihen parasysh edhe kundërthëniet që e kanë përcjellë çështjen e tokave përreth Manastirit, në aspektin historik dhe ligjor”. DW

 

Më shumë

Kosova ftohet në takimin e lartë për demokraci

Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me […]

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.   Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën […]

Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.   Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e […]

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.   Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara