e enjte 27 janar 2022
e enjte 27 janar 2022

Të dhënat paraprake të Entit Rregullator të Ujit tregojnë se vitin e kaluar, mbulimi i kostove operative të ujësjellësave shënoi përkeqësim të ndjeshëm në krahasim me vitin 2018, pavarësisht se ujësjellësit kryesore të vendit kanë përfituar rritje drastike të tarifave.

Enti Rregullator i Ujit dorëzoi raportin e vet vjetor në Kuvendin e Shqipërisë këtë javë, ku bëhet e ditur se performanca e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve ka pësuar një përkeqësim të fortë gjatë vitit të kaluar, ndërsa reduktimi i humbjeve apo norma e arkëtimit kanë mbetur të pandryshuara. Sipas entit, treguesi i mbulimit të kostove operative dhe të mirëmbajtjes, një tregues kyç për të matur se sa me eficencë shpenzohen të ardhurat e sektorit, ra nga 119% në vitin 2018 në 108% më 2019.

“…vërehet se gjendja në sektor në krahasim me vitin 2018 paraqet një përkeqësim në drejtim të mbulimit të kostove direkte të O&M. Ndërkohë që treguesit e Ujit Pa të Ardhura dhe të Normës së Arkëtimit Korrente mbesin në nivele të pandryshuara,” shkruan ERU në raportin e vet të publikuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.

ERU është një institucion që mbikëqyr sektorin e ujësjellësave dhe kanalizimeve që drejtohet nga një komision, anëtarët e të cilit emërohen nga Këshilli i Ministrave.

Enti ka shkaktuar kontroversialitet në aktivitetin publik gjatë viteve të fundit, për shkak të pranimit me argumente të dobëta ekonomike, të rritjes së ndjeshme të tarifave të furnizimit me ujë pa u kushtëzuar kjo me ndonjë kërkesë specifike në drejtim të rritjes së cilësisë së furnizimit.

Të dhënat e raportit, sipas Entit reflektojnë gjendjen e muajit shtator 2019 ndërsa janë ekstrapoluar për të vlerësuar gjendjen e tyre të pritshme deri në fund të vitit që lamë pas.

Sipas analizës së entit, shpenzimet e sektorit janë rritur me afro 18% dhe arritën në 12.7 miliardë lekë ose afro 100 milionë euro gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që të ardhurat u rritën me 6% në 10.4 miliardë lekë, afro 86 milionë euro.

Paga shtesë dhe zinxhir borxhesh

Të gjitha zërat e shpenzimeve të sektorit pësuan rritje të fortë gjatë vitit të kaluar, por rritja më e madhe u vërejt te kostot e punës dhe te fatura e energjisë elektrike. Kështu, ujësjellësat shpenzuan 4.2 miliardë lekë për paga ose 14% më shumë, ndërsa fatura e energjisë elektrike i kushtoi 2.6 miliardë lekë ose 12% më shumë.

Ujësjellësit njihen tashmë si ndërmarrje publike që kanë sakaq staf me tepri, por kjo nuk i pengoi këto kompani të shtonin edhe 245 persona të tjerë gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të ERRU.

Rritja e kostos së energjisë elektrike duket se është shoqëruar edhe me mospagesa ndaj Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Sipas OSHEE, “sektori jobuxhetor” ku përfshihen ujësjellësit, kanë akumuluar gjatë viteve të fundit miliarda lekë borxhe ndaj kësaj kompanie.

Rritja e kostos së punës me 14% gjatë vitit të kaluar nuk reflekton rritjen e përgjithshme të pagave në vend dhe as nuk korrespondon me ndonjë rritje të ndjeshme të cilësisë së furnizimit. Sipas ERRU, afro 22% e popullsisë vijon të mbetet jashtë rrjetit të ujësjellësave ndërsa gati gjysma e familjeve nuk kanë akses te rrjeti i kanalizimeve të ujërave të përdorura, gjë që do të thotë se i bëjnë derdhjet ku të munden.

Rritja e ndjeshme e shpenzimeve operative të sektorit vjen në një kohë kur çmimi i furnizimit me ujë në Tiranë, u rrit me 44% duke filluar nga 1 janari i vitit 2018, ndërsa në Durrës u rrit me 15%. Këto janë edhe dy ujësjellësit kryesorë ne vend.

Treguesit kryesorë të ujësjellës-kanalizimeve
2018 2019 Ndryshimi në %
Kosto e punës 3,760,301 4,276,771 14
Kosto e materialeve 216,069 559,361 159
Kosto e energjisë së konsumuar 2,365,574 2,652,819 12
Kosto e riparim/mirëmbajtjes 545,576 557,494 2
Kosto e shërbimeve të kontraktuara 779,886 831,759 7
Kosto të tjera operacionale 559,484 708,094 27
Kostot Operim &Mirëmbajtjes 8,226,890 9,586,298 17
Kostot e amortizimit 1,897,345 2,472,716 30
Kostot financiare taksa tatime 556,886 610,561 10
Kostot Totale 10,680,121 12,669,574 19
Të Ardhurat Totale 9,799,217 10,383,241 6
Burimi: ERRU

BIRN

Më shumë

Politikat e copëtuara për bujqësinë

Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, me këtë sektor jetik që sjell gati 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pavarësisht rënies së fortë në krahasim me fillimin e viteve ’90, kjo peshë është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian (2%) dhe gati dy herë më e lartë se […]

Shqiptarët shpenzuan 13.6 milionë euro në 9 muaj për të siguruar pronat, si ndahet tregu mes kompanive

Për nëntë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët shpenzuan rreth 1.67 miliardë lekë ose rreth 13.6 milionë euro për sigurimin e pronave.   Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto nga sigurimet e pronës u rritën me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një […]

Drafti: Rritet kufiri i pagës së pataksueshme në 40 mijë lekë, përgjysmohet nga 30-50 mijë lekë, pragu për shtresën e mesme bëhet 200 mijë lekë

Nga korriku i vitit 2022 pritet që të ndryshojë sërish tatimi mbi pagat, duke rritur si dyshemenë për kufirin e pataksueshëm të pagës minimale në 40 mijë lekë (nga 30 mijë lekë që është sot), po ashtu dhe kufirin mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, në 200 mijë lekë, nga […]

Çmimet e naftës shtrenjtohen për herë të gjashtë në pak muaj, arrijnë 184 lekë, afër rekordit historik

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të gjashtë radhazi në vetëm pak muaj.   Në pikat e tregtimit të“Kastrati”, më i madhi në vend për shumicën dhe pakicën, nafta tregtohet me 184 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 186 lekë, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara