e enjte 9 dhjetor 2021
e enjte 9 dhjetor 2021

 

 

Marrëdhënia midis ushqimit seksualitetit dhe seksit është e gjatë sa vetë historia e njeriut, gjatë së cilës, kjo marrëdhënie është bërë gjithnjë e më e pasur, por edhe gjithnjë e më komplekse. Mjafton të kujtojmë se sa shumë fjalë e shprehje lidhin ushqimin me seksualitetin, për të karakterizuar thurësinë midis të dyve: “ do të të ha të gjithën/in” “je kafshata më e mirë që kam shijuar” “të hëngsha këtë apo atë (për pjesë të trupit)”, etj.; në shumë idioma, si për shëmbull në atë angleze britanike e sidomos amerikane, përdoren fjalë si cheesecake për të treguar ekzaltuar aspektin erotik të një femre, apo beefcake, për të demostruar pëlqimin për nuditetin e një mashkulli.

 

Të ngrënit nuk është vetëm një ritual i domosdoshëm për ushqimin e trupit me substancat e nevojshme, por shpesh bën pjesë në fazën preliminare të atraksionit seksual midis dy partnerëve.

 

Janë kështu disa nivele që lidhin ushqimin me seksualitetin dhe aktin seksual: niveli sensorial, niveli sentimental, niveli biokimik, niveli social dhe niveli energjitik.

 

Në nivelin sensorial, mund të përfshijmë ngjyrën e ushqimeve të veçantë, aromën e tyre, harmoninë dhe estetikën e paraqitjes së tyre në tavolinë; niveli sentimental karakterizohet nga domethëniet emotive që i jepen një ushqimi të caktuar dhe lidhjeve me të (“nëna ime e bënte ndryshe, por është më e shijshme kështu”, etj.); niveli kimik përfshin të gjithë mikroelementët biokimikë të ushqimit të përgatitur dhe rolit të tyre në mirëmbajtjen fisike dhe seksuale të trupit, ndërsa niveli social përbëhet nga një sërë ritualesh, simbolikash, asocimesh, rregullash religjioze, etj., që rregullojnë marrëdhënien midis ushqimit dhe seksualitetit, sipas nivelit të dijes dhe limiteve të kulturës dominante; niveli energjitik ka të bëjë me shkallën e njohjes së proçesit energjitik që karakterizon çdo lloj bime, kafshe apo materiali inert që përdorim si burim ushqimi, më saktësisht kapacitetit centripet apo centrifugal që qëndron në bazë të këtij koncepti.

 

Në këtë përshkrim të shkurtër, preferojmë të ndalemi më së shumti në aspektin nutricional e në atë energjitik,  të marrëdhënies midis ushqimit dhe seksualitetit.

 

Për zgjedhjen, nga pikpamja biokimike, e strukturës ushqimore më të përshtatshme për nivelin e seksualitetit (i cili varet edhe nga mosha dhe kushtet fisiologjike apo fisiopatologjike),  është e nevojshme të dimë që në fillim substancat më të nevojshme për mbarëvajtjen e aparatit riproduktiv, midis të cilave, ato që luajnë një rol kryesor janë zinku, substancat cortisonlike, testosteronlike, estrogenlike që përbëjnë një sërë ushqimesh dhe bimësh të veçanta, substancat histaminergjike, që rregullojnë fisiologjinë e sintezës së spermës dhe të sekrecioneve vagjinale të çliruar me orgazmën.

 

Kjo panoramë, na sjell menjëherë në mendje Kazanovan, një ndër mitet e seksualitetit në imagjinatën kolektive, rituali i të cilit ishte të ngrënit e 50 ostrikave çdo ditë.

 

Siç e shohim edhe nga renditja që kemi formuluar, ndër ushqimet më të pasur me Zink,  Ostrika e zjerë është ushqimi që përmban absolutisht sasinë më të madhe të këtij minerali (ostrika e zjerë: 181,61 mg për 100 g, ndërsa ostrika krudo 90,81 mg për 100g). Kujtojmë se nevoja fiziologjike ditore për Zink e një të rrituri varjon nga 15-25 mg. Kështuqë, Kazanova, edhe pse nuk kishte njohuri për biokiminë e ushqimeve, kishte intuitivisht apo empirikisht të drejtë, pasi renditja është e tillë:  ostrika e zjerë, ostrika krudo, çerealet, sythet e grurit, mëlçia e viçit, farat e lulekuqes, majaja e freskët e birrës, çokollata e errët, kofsha e zjerë e qingjit, farat e sesamit, kërpudhat e thata, kardamomi, kruska e grurit, etj…

 

Substancat cortisonlike, i gjejmë ndër ushqimet që përmbajnë të ashtuquajturin kortizon natyral, siç rrënja e Ginseng e përdorur si burim shëndeti prej mijëra vjetësh në Azi, boronicat (me të cilat veçanërisht Veriu i Shqipërisë është shumë i pasur), shafrani, kurkuma, xhinxheri (specie akoma pak të njohura e pak të përdorura në Shqipëri), bima Cardiospermum Halicacabum shumë e përdorur në mjeksitë etnike si antiinflamator natyral, etj..

 

Testosteroni (Madhëria e Tij) është, jo vetëm në imagjinatën kolektive, por edhe në planin biokimik, substanca kryesore që karakterizon më së shumti seksin dhe seksualitetin mashkullor. Ushqimet që stimulojnë më së shumti sintezën e tij janë ato që përmbajnë më shumë zink (si në tabelën më lart), si dhe ushqimet që përmbajnë më shumë vitaminë B6, B9, B12, Vitaminë E dhe Vitaminë D (sipas renditjes  së mëposhtëme):

 

  • Ushqimet më të pasur në vitaminë B6: mish viçi, mish pule, mish derri pa dhjamë, peshk (veçanërisht peshk ton dhe salmoni, fruta deti (veçanërisht karkalecat e detit), mëlçia e viçit apo e pulës, çerealet integralë, vezët, djathrat, patatet, mashurkat, qiqrat, thjerzat, sythet e grurit, majaja e birrës, frutat e thata (jo ato të tharat), etj..
  • Ushqimet më të pasur në vitaminë B9 (acid folik) janë kryesisht mëlçia e shpendëve, pateja e mëlçisë (tipike e kuzhinës franceze) perimet me gjethe veçanërisht jeshile si spinaqi, tarasaku, kreshioni, rukola, sallata, valeriana, asparagu, majdanozi, etj.,arrat, lajthitë, bajamet, luleshtrydhet, vezët e zjera, gështenjat, fasulet e kuqe, qiqrat, etj..
  • Në vitaminë B12 janë veçanërisht të pasur ushqimet si mëlçia, frutat e detit, peshku ton, merluci, sardelet, salmoni, trofta, mishi i derrit, mishi i lepurit, vezët, djathrat e stazhionuar, mocarela, qumështi, soja, alga spirulina, etj..
  • Ushqimet më të pasur ne vitaminë E janë vaji bio e krudo i lulediellit, vaji krudo i farave të rrushit, sythet e grurit, lajthitë, bajamet, vaji krudo i kikirikut, vaji i ullirit(sidomos ekstra i virgjër), e verdha e vezës, spinaqi, lakra e bardhë, tarasaku, asparagu, patatja e ëmbël amerikane, peshku salmon, qiqrat etj.
  • Studimet shkencore nxjerrin në pah rolin e veçantë të Vitaminës D në sintezën e testosteronit. Ushqimet më të pasur ne Vitaminë D janë kryesisht ata me origjinë detare si peshku salmon, sardelet, vaju i peshkut merluc, peshku ton,ostrikat, karkalecat, etj., por edhe shumë ushqime të tokës si e verdha e vezës, kërpudhat e ngrënëshme, soja, qumështi, tërshëra, çikorja, tarasaku, borsiloku, kanë sasi të konsiderueshme të kësaj vitamine.

 

Ushqimet dhe bimët më të pasura në substanca estrogenlike (estrogjenë natyralë), janë të shumta edhe në Natyrë, por ndër to do të përzgjidhnim farat e linit, sojën, frutat e thata dhe ato të tharat si arrat, bajamet, lajthitë, pistakët, kikirikët, dateri, kajsia, kumbulla, etj.., fara e sesamit, shafrani, hudhra, e ndër frutat e freskëta pjeshkët.

 

Ushqimet histaminergjikë mund t’i ndajmë në dy kategori të ndryshme: në ushqime që nzisin sintezën e histaminës në organizëm (ushqime, fjala vjen, të pakëshillueshëm për ata që vuajnë nga alergjitë histaminergjike) dhe në ushqime që nxisin çlirimin e saj, sidomos nëpërmjet ejakulimit dhe orgazmës gjatë aktit seksual.

 

Ushqimet më të pasur në histaminë janë domatet, lakra e bardhë, spinaqi, kërpudhat, specat, ketchup (concentrati i domateve) peshku i ambalazhuar, peshku i tymosur, frutat e detit, salçiçet, sallami, mishi i tharë, mortadella, pijet alkolike, vera, birra, majaja e birrës, uthulla, frutat e thara si fiqtë, kajsitë, dateri, kumbullat, rrushi, drithërat e zjera. Nga ana tjetër, ushqimet që ndikojnë më së shumti në çlirimin e histaminës (ndaj edhe më të këshilluarit për t’u përdorur në fazat që i paraprijnë aktit seksual) janë kakao, çokollata, luleshtrydhet, bananet, ananasi, papaja, agrumet, kiwi, dardhët, frutat e detit, bajamet (megjithë cipë), e bardha e vezës krudo, mishi i derrit, kafeja, çaji i zi, likurizia, etj..

 

Është e nevojshme për të thënë dy fjalë për ushqimet që, edhe pse në vetvete janë të pasur me elementë ushqyesë dhe janë të nevojshëm për t’u përdorur në të përditshmen, gjithsesi nuk ndihmojnë seksualitetin dhe sidomos aktin seksual. Ndër to mund të përmendim rrapën e bardhë, lakrën, fasulet e sojës dhe sidomos “djathin” e sojës të quajtur toufu, sasitë e ekzagjeruara të pijeve alkolike, të cilat, si karakteristikë të përbashkët, kanë rolin e tyre reprimues ndaj gjendrave tiroidale, gjendra që determinojnë seksualitetin dhe fertilitetin njëkohësisht.

 

Seksualiteti dhe seksi nuk janë proçese dhe cilësi që qëndrojnë jashtë konceptit të ekuilibrit fiziologjik dhe energjitik. Në këtë pikpamje, edhe kombinimi i një ushqimi tonik, me një tjetër relaksues, bën pjesë në ruajtjen e ekuilibrit. Për këtë arësye, do të ishte inteligjente aq sa edhe e nevojshme që përdorimi i ushqimeve tonikë të shoqërohej gjithnjë me elementë relaksues, siç mund, fjala vjen, të shoqërohet haviari me një gotë shampanjë, apo ostrikat me një gotë birrë, apo vezët e zjera me pak mjaltë. Në rutinën e përditshme, një nga ushqimet më të ekuilibruar nga kjo pikpamje, është sallata greke, në të cilën, efekti tonifikues i domateve, djathit, specit dhe rigonit ekuilibrohet nga kastraveci dhe vaji i ullirit.

 

Një vëmendje të veçantë i duhet kushtuar përdorimit të pijeve alkolike para aktit seksual: përdorimi i moderuar i tyre mund të shërbejë si stimulues i mirë, ndërsa abuzimi jo vetëm që kompromenton prestacionin, por krijon probleme, ndonjëherë të pakorregjueshme, në cilësinë e spermës në meshkujt dhe në fertilitetin e femrave. Po e njëjta gjë mund të thuhet në tërësi për të gjitha substancat haluçinogjene.

 

Dieta vegjetariane dhe vegane në parim nuk do të duhej të luante një rol të veçantë inhibitor mbi funksionet seksuale, mjafton të bëhet kujdes për  shumëllojshmërinë e ushqimeve që duhen përdorur në secilin vakt dhe për sasinë e nevojshme të vitaminës B12 me të cilën ushqimet vegjetalë janë përgjithësisht të varfër. Një dietë e tillë mund të krijojë inhibizion seksual kur është e varfër në përbërës dhe e paorganizuar mirë: fjala vjen, kur në të njejtin vakt konsumohen perime, kos, akullore dhe birrë. Në përgjithësi, ushqimet e shërbyer në temperatura të ftohta nuk stimulojnë libidon dhe elementët e tjerë që realizojnë aktin seksual. Gjithsesi, të dhënat tregojnë se ndër meshkujt vegjetarianë dhe veganë, shprehet shumë më pak interes seksual në krahësim me meshkujt omnivorë. Më pak i dukshëm është ky ndryshim ndër femrat.

 

Herë-herë, ka partnere femra që “ankohen” se partneri i tyre mashkull është i pambajtshëm, i zjartë, seksualisht. Beh, jeta është edhe çështje limitesh, por gjithsesi, në dakordësi  me të, mund të përdoren ushqime si kastravecat, djathi i sojës, sallatrat me kastravec apo kunguj, frutat e zjera (mollët, dardhët, kumbullat e zjera). Ndoshta, për hir të dashurisë, ai do t’i shtyjë poshtë, drejt stomakut, këto ushqime, por mos u çuditni kur mund ta gjeni edhe pranë një femre tjetër, ngaqë jeta është edhe çështje oportunitetesh!!!

 

Një temë tjetër interesante është ajo e lidhur me ndryshimet midis dietës ushqimore më të përshtatshme për meshkujt e asaj më të përshtatshme për femrat. Proçesi social i vendosjes së barazisë së oportuniteteve për të dy sekset nuk ka të bëjë me karakteristikat e veçanta që duhet të ndjekin në zgjedhjen e strukturës ushqimore, përkundrazi, një kulturë e tillë do të ndihmonte emancipimin e njëllojtë të të dyve. Përse struktura ushqimore duhet të jetë e diferencuar? Edhe pse, së fundmi, sidomos në shkolla, ka filluar të përhapet kultura e quajtur  “transgjender”, Nëna Nartyrë i ka ndarë gjërat, strukturat dhe funksionet dhe kultura e madhe e Natyrës fiton çdo herë mbi çdo lloj subkulture, sidomos nëse ajo është shpikje e njerëzve që ngrihen kundër vetë llojit njerëzor të ekzistencës. Në traditën japoneze, meshkujt zakonisht ushqehen me më shumë ushqime me bazë proteinash në krahësim me femrat. Edhe kur bashkëndajnë të njejtin ushqim proteik, zakonisht, gratë zgjedhin pjesën më të vogël për veten e tyre e kjo nuk konsiderohet një dëshmi inferioriteti, por shprehje e kulturës së të ushqyerit.

 

Nga pikpamja konstitucionale, fiziologjike, femrat tentojnë më së shumti nga anabolismi, ndërsa meshkuj nga katabolizmi. Po ashtu, koeficienti i asimilimit të ushqimeve është më i lartë në femrat se sa në meshkujt, arësye për të cilën gratë konsumojnë më pak ushqim (e megjithatë, gjejnë vështirësi nëse duan të dobësohen) se sa meshkujt. Këto karakteristika themelore  nuk mund të mos konsiderohen si nga pikpamja ushqimore, ashtu edhe nga ajo e ritmeve dhe e stilit të jetesës. Është observuar shkencërisht, fjala vjen, se ndër gratë e popullsive me besim myslyman, të cilat ndjekin ritualin e Ramazanit, gjatë të cilit nuk konsumohet ushqim o konsumohet shumë pak e vetëm pas perëndimit të diellit, rritet indeksi i anemisë, ndërsa ndër burrat nuk vërehet një fenomen fiziopatologjik i tillë.

 

E rëndësishme është të kuptojmë që, elementë apo ritualë që karakterizojnë qasjen e ndryshme ndaj ushqimit, ndër gratë dhe ndër burrat, kanë të bëjnë jo aq me të drejtat dhe pabarazitë, por me nivelin e njohjes së nevojave fiziologjike, nivel që kulturat e përfshijnë dhe e shndërrojnë në një substrat organik të tyre.

Përgatiti M.S.

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara