Sunday 26 March 2023
Sunday 26 March 2023

 

 

Familjet e 16 punonjësve të medias të vrarë kur NATO bombardoi Radio Televizionin e Serbisë në prill 1999 ende duan që shteti t’u përgjigjet pyetjeve nëse zyrtarët ushtarakë ishin në dijeni të sulmit të afërt dhe a mund t’i kishin parandaluar vdekjet.

 

 

Rreth 120 njerëz po punonin në ndërtesën e Radio Televizionit Serb në Beogradin qendror rreth orës 2 të mëngjesit më 23 prill 1999 kur ajo u godit nga një predhë e NATO-s ndërsa aleanca ushtarake perëndimore vazhdonte fushatën e saj bombarduese kundër Jugosllavisë së Sllobodan Millosheviçit.

 

Gjashtëmbëdhjetë punonjës të RTS vdiqën gjatë sulmit, dy të tjerë u plagosën rëndë dhe 17 u lënduan lehtë. Trupat e dy prej viktimave nuk janë gjetur kurrë.

 

NATO e justifikoi sulmin duke thënë se RTS ishte pjesë e makinerisë së luftës së Millosheviçit sepse transmetonte propagandën e tij, megjithëse ky argument është kundërshtuar fort.

 

Në 2002, Gjykata e Qarkut në Beograd dënoi drejtorin e RTS Dragoslav Milanoviç me dhjetë vjet burg për një “krim të rëndë kundër sigurisë publike” sepse ai nuk urdhëroi që personeli të evakuohej nga ndërtesa në Beogradin qendror në një vend rezervë, edhe pse një vend i tillë ekzistonte dhe ai mund ta kishte bërë këtë gjë.

 

Milanoviç, personi i vetëm që është dënuar për vdekjen e punonjësve të RTS, mohoi të kishte faj dhe paditi një gazetar nga TV B92 për pretendimin se ai “sakrifikoi” punonjësit e tij. “Unë u deklarova përgjegjës nga vendimi, por nuk i flijova me vetëdije punonjësit e mi”, këmbënguli ai. Megjithatë, gjykata e refuzoi padinë e tij.

 

Por dënimi i Milanoviçit nuk ishte mjaftueshëm që familjet e viktimave të gëzoheshin se ishte vendosur drejtësi. Që nga sulmi vdekjeprurës ndaj RTS, ata u kanë kërkuar autoriteteve të hetojnë dhe ndjekin penalisht njerëzit, kryesisht nga Ushtria Jugosllave, të cilët ata besojnë se janë gjithashtu përgjegjës për mos evakuimin e ndërtesës së RTS.

 

Mediat serbe njoftuan në janar 2021 se Grupi i Punës i qeverisë për Sigurinë e Gazetarëve, i cili u krijua vitin e kaluar për t’u marrë me sulmet ndaj punonjësve të medias, por pavarësia dhe efikasiteti i të cilit është vënë në dyshim, do të kërkojë që NATO, Shtetet e Bashkuara, Ushtria Jugosllave dhe shërbimet e inteligjencës serbe të sigurojnë të gjithë materialin arkivor që ata kanë në lidhje me sulmin në RTS. Megjithatë, kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

 

Zoran Janiç, një gazetar që shkroi një libër në lidhje me bombardimin e RTS të titulluar “Heshtje në Aberdareva”, tha se ka ende shumë pyetje në lidhje me informacionet që kishte Ushtria Jugosllave në lidhje me bombardimet para incidentit.

 

Familjet u kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur autoriteteve t’u tregojnë atyre se çfarë dinte paraprakisht ushtria, por “kurrë nuk morën ndonjë përgjigje”, tha Janiç – dhe askush në ushtri nuk është mbajtur kurrë përgjegjës.

 

“Ky fakt flet shumë për karakterin e vërtetë të shoqërisë sonë”, argumentoi ai.

 

Çfarë ishte direktiva numër 37?

 

përcaktoi vendimi për Milanoviçin, qeveria federale jugosllave vendosi në 1994 të bënte një listë të atyre që ajo i përshkroi si “sisteme të mëdha teknike me interes për mbrojtjen e vendit”. RTS ishte një prej tyre.

 

Në 1995, qeveria federale mori një vendim për masat që duheshin zbatuar në rast lufte ose gjendje të jashtëzakonshme. RTS më pas përpiloi planin e tij të përgatitjeve për një luftë të mundshme me një listë prej 50 direktivash mbi atë që televizioni publik duhet të bënte në rast se fillonin luftimet.

 

Një prej tyre, direktiva 37, thoshte se ajo duhet t’i zhvendosë operacionet e saj në objektet rezervë në rrethin Kosutnjak, larg nga qendra e qytetit.

 

Një gjendje lufte u shpall në Jugosllavi më 24 mars 1999, kur filluan bombardimet e NATO-s. Dy ditë më vonë, Ministria Federale e Mbrojtjes i dërgoi RTS një urdhër duke i thënë televizionit publik që të merrte masa për t’u përgatitur për mundësinë e një sulmi.

 

Urdhri i tha RTS të kryente “zhvendosjen strategjike dhe të lokalizuar” të disa prej pajisjeve të saj në zona të tjera. Por siç vuri në dukje vendimi për Milanoviçin: “Masa e gatishmërisë që iu referua nuk u zbatua.”

 

Në mbrojtje të tij, Milanoviç u tha hetuesve dhe gjykatës se direktiva 37 “nuk nënkuptonte zhvendosjen e plotë të njerëzve”.

 

Vendimi tha se Milanoviçi tha se ai besonte se ishte “më e sigurt” të qëndronte në ndërtesën në Beogradin qendror.

 

“Ndërtesa e RTS ishte e rrethuar nga ambiente të tilla si një zyrë postare, një kishë dhe Shtëpia e Pionierit, kështu që ai supozoi se kjo do të ishte gjithashtu një arsye pse NATO-ja nuk do ta sulmonte atë – aq më tepër sepse ndërtesa e RTS ishte një objektiv civil dhe jo një objektiv i ligjshëm ushtarak”, thuhej në vendim.

 

Gjykata nuk pranoi asnjë nga argumentet e paraqitura nga Milanoviçi.

 

“NATO-ja le të hapë zjarr”

 

 

Gjatë gjykimit, u pyet vazhdimisht nëse dihej paraprakisht që ndërtesa e RTS do të sulmohej.

 

Kishte pasur të dhëna nga NATO-ja dy javë para sulmit me predhë. Në një konferencë për shtyp më 8 prill 1999, Kapiteni i Parë Ajror David Wilby tha për mediat se “radioja dhe televizioni serb është një instrument propagande dhe shtypjeje. Ai ia mbushur valët e transmetimit me urrejtje dhe me gënjeshtra gjatë viteve dhe sidomos tani”.

 

“Prandaj ai është një objektiv i ligjshëm në këtë fushatë”, paralajmëroi Wilby.

 

Të njëjtën mbrëmje, në programin kryesor të lajmeve të RTS, “Dnevnik”, redaktorja Tatjana Lenard lexoi një koment sfidues nga transmetuesi publik.

 

“Komandanti i NATO-s Wesley Clark le të hapë zjarr! Ne po e presim”, deklaroi Lenard.

 

“E informojmë se jemi në Rrugën Takovska numër 10. Ka disa mijëra prej nesh që punojnë në transmetim… Jemi në redaksitë tona, nëpër studio dhe në pajisjet e transmetimit ditën dhe natën. E përsëris, edhe natën. E dimë që juve ju pëlqen të vrisni natën, nga larg.”

 

NATO sulmoi natën me forcë vdekjeprurëse rreth dy javë më vonë, por predha e saj goditi një pjesë të ndërtesës së RTS në Rrugën Aberdareva, sesa pjesën në Rrugën Takovska. Lenard ishte në një udhëtim pune në Budapest kur ndodhi kjo. Vendimi në gjyqin e Milanoviçit citoi se ajo kishte thënë se nuk kishte ndonjë informacion paraprak që ndërtesa do të sulmohej.

 

“Thelbi i atij komenti ishte të pohohej se stacioni televiziv punon gjithashtu edhe natën dhe se ai ofron shërbime për gazetarë të huaj, dhe se nëse NATO-ja do ta bombardonte stacionin, nuk do të kishte justifikim nëse do të thoshte se nuk e dinte që kishte të punësuar në ndërtesa gjatë natës”, thuhej në vendim.

 

Siç sugjeronte komenti i lexuar nga Lenard, gjatë kësaj periudhe, ndërtesa e RTS po përdorej rregullisht nga ekipet e televizionit evropian dhe amerikan që raportonin nga Beogradi. Disa prej tyre kanë thënë se redaksitë e tyre i paralajmëruan ata se ndërtesa do të sulmohej, kështu që ata ndaluan së përdoruri atë.

 

Gazetari veteran i BBC John Simpson mbërriti në Beograd dy javë para fillimit të bombardimeve të NATO-s në 1999 dhe qëndroi në kryeqytetin serb dhe vazhdoi raportimin gjatë gjithë fushatës ajrore. Ai nuk punoi nga ndërtesa e RTS, por i tha BIRN me email se “herë pas here shkoja në studiot e lajmeve atje për të regjistruar intervista satelitore me BBC në Londër”, dhe isha atje “disa orë para se ndërtesa të bombardohej”.

 

Simpson kujtoi se në mbrëmjen e bombardimit, një korrespondent i CNN, i cili ishte i vendosur në të njëjtin hotel me të, i tha atij se komanda e forcave amerikane kishte paralajmëruar selinë e CNN se do të kishte një sulm ndaj RTS atë mbrëmje.

 

“Si rezultat, unë qëndrova larg ndërtesës së RTS”, tha Simpson për BIRN me email.

 

“Komanda e forcave amerikane nuk e paralajmëroi BBC dhe nëse korrespodenti i CNN nuk do të më kishte thënë, unë do të kisha shkuar në RTS atë natë”, shtoi ai.

 

Simpson më tej shpjegoi se ai nuk njihte askënd në RTS për ta paralajmëruar në lidhje me sulmin e afërt. Ai shtoi se më vonë iu tha se “figurat e larta në RTS të gjithë qëndruan larg ndërtesës atë pasdite dhe mbrëmje, por punëtorët më të thjeshtë u urdhëruan të qëndronin”.

 

“Midis njerëzve që u vranë dhe u plagosën atë natë ishte zonja e grimit që kujdesej gjithmonë për mua para çdo transmetimi”, tha ai.

 

“Supozimi midis gazetarëve perëndimorë në Beograd më pas ishte se qeveria e Millosheviçit donte të kishte viktima në ndërtesën e RTS, në mënyrë që të ndërtonte armiqësi nëpër botë për fushatën e bombardimeve të NATO-s”, përfundoi ai.

 

Millosheviç u rrëzua në një kryengritje popullore vitin e ardhshëm dhe u dërgua të gjykohej për krime lufte në Hagë, ku vdiq në 2006.

 

RTS kërkoi ndjesë në vitin 2011 për prodhimin e saj gjatë viteve të Millosheviçit, duke thënë se stacioni ishte “abuzuar rëndë” nga autoritetet që e përdorën atë për të transmetuar propagandë dhe gjuhë urrejtjeje.

 

Ministrisë së Mbrojtjes i kërkohet të publikojë dosjen

 

Askush përveç drejtorit të RTS Milanoviç nuk është mbajtur përgjegjës në Serbi për vdekjet e 16 punonjësve të stacionit televiziv.

 

Gjatë gjykimit të Milanoviçit në 2001, gjykata i kërkoi Ministrisë së Mbrojtjes të hiqte rregulloret e fshehtësisë për të lejuar disa personel të ushtrisë të dëshmonin në gjyq.

 

Një nga njerëzit në Ministrinë e Mbrojtjes i cili merrej me kërkesën e gjykatës ishte nënkoloneli Lakic Djoroviç, i cili punonte në departamentin juridik të ministrisë.

 

Djoroviç ka pohuar që prej asaj kohe se kur punonte në çështjen e Milanoviçit për ministrinë, ai pa dokumentacionin në lidhje me komunikimin e përgjuar midis pilotit të NATO-s i cili po fluturonte drejt ndërtesës së RTS dhe bazës së tij. Sipas Djoroviçit, dokumentet tregojnë se piloti po fliste për sulmin ndaj ndërtesës dhe se Ushtria Jugosllave e dinte se çfarë do të ndodhte.

 

“E keni informacionin në lidhje me bisedën e përgjuar në tre shënime zyrtare … të tria u bënë nga oficerët më të lartë në institucionet e sigurisë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave,” tha Djoroviç për BIRN.

 

Familjet e viktimave i kanë kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes të publikojë dosjen e saj të plotë në lidhje me bombardimin e RTS.

 

Megjithatë, tha gazetari Zoran Janiç, Ministria e Mbrojtjes “publikoi fotokopjet e tre dokumenteve që mori nga familjet, duke pretenduar se ajo ishte e gjithë përmbajtja e dosjes, megjithëse mund të shihet qartë se kjo nuk ishte e vërtetë”.

 

Në vitin 2017, ministri i mbrojtjes në atë kohë, Dragan Sutanovaç, tha se pretendimet në lidhje me dokumentet që detajojnë komunikimet e përgjuara nuk janë të vërteta.

 

BIRN pyeti Ministrinë e Mbrojtjes në lidhje me dosjen e saj mbi bombardimin e RTS, por ajo tha se dosja që kishte përmbante vetëm kërkesën nga gjykata nga viti 2001. Ajo tha gjithashtu se e shkatërroi atë dosje në vitin 2006 pasi nuk ishte i detyruar ta mbante atë më gjate.

 

Familjet e viktimave të RTS i kërkuan Zyrës së Prokurorit të Posaçëm që ta rihapte çështjen në vitin 2009 dhe bënë një apel të ngjashëm në Prokurorinë Publike të Republikës në vitin 2012.

 

Prokuroria e Posaçme ia përcolli çështjen Prokurorisë së Lartë të Beogradit, e cila nuk pranoi të siguronte ndonjë informacion të mëtejshëm për BIRN në lidhje me hetimin për sulmin ndaj RTS, duke argumentuar se detajet e çështjes janë tashmë “të njohura” pasi janë botuar nga media të ndryshme.

 

Vdekjet në ndërtesën e RTS u bënë gjithashtu një çështje për Komisionin për Hetimin e Vrasjeve të Gazetarëve – krime të cilat ndodhën kryesisht nën regjimin e Millosheviçit.

 

Miroslav Bojciç, një gazetar dhe një përfaqësues i familjeve të viktimave, ishte në komision për rreth dy vjet dhe tha se ishte bërë pak progres.

 

“Një dëshmitar i vetëm u dëgjua një herë”, tha Bojçiç, duke shtuar se dëshmitari ishte një oficer i Sigurimit të Shtetit: “Ai dëshmoi me shumë kujdes… Ai ishte dëshmitari i vetëm i pyetur, nuk pati asgjë tjetër.”

 

Kreu i komisionit, gazetari veteran Veran Matiç, tha megjithatë se “dhjetëra dëshmitarë” folën me komisionin rreth “aspekteve të ndryshme të bombardimeve të RTS”. Matiç tha gjithashtu se komisioni dërgoi pyetje në lidhje me çështjen në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Agjencinë Ushtarake të Sigurisë, por se ai “nuk ishte i kënaqur” me përgjigjet e tyre.

 

“Unë mendoj se ka më shumë hapësirë ​​për hulumtime dhe se qeveria e Serbisë duhet të angazhohet në mënyrë më intensive për këtë”, tha ai.

 

Matiç tha se ai mendonte se bombardimi i RTS ishte një “krim i kryer nga anëtarët e forcave të NATO-s”, por që ka “dyshime të justifikuara” se qeveria serbe dhe Ministria e Mbrojtjes ishin gjithashtu fajtorë për mos evakuimin e stafit të stacionit televiziv.

 

“Vendimi kundër drejtorit të RTS Milanoviç nuk merret fare me këtë temë”, tha ai.

 

Hetime ndërkombëtare

 

Amnesty International tha në një raport të botuar në 2000 me titull “Dëm kolateral apo vrasje të paligjshme? Shkeljet e Ligjeve të Luftës nga NATO-ja gjatë Operacionit të Forcave Aleate” se sulmi ajror ndaj RTS ishte “një sulm i drejtpërdrejtë ndaj një objekti civil” dhe se “përbën një krim lufte”.

 

Por prokuroria në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të KB për ish-Jugosllavinë publikoi një raport të njëjtin vit duke rekomanduar që asnjë çështje të mos hapet për bombardimin e RTS. Ai tha se viktimat civile ishin “për fat të keq shumë, por nuk duket të jenë qartë në mënyrë proporcionale”.

 

Kryeprokurorja e Kombeve të Bashkuara Carla del Ponte më vonë shkroi në autobiografinë e saj se ajo zbuloi nga NATO-ja se ajo “e kishte informuar Millosheviçin paraprakisht se po përgatitej një sulm ndaj ndërtesës”. BIRN

 

 

Më shumë

Lira në rënie drastike, të huajt dynden për të blerë banesa në Turqi

Shitjet e banesave në Turqi për të huajt u rritën me 48.4% në një nivel rekord në nëntor, sipas shifrave zyrtare të publikuara sot, pasi një rënie e lirës turke bëri që blerjet të jenë dukshëm më të lira për ata që blejnë me valutë “të fortë”.   Tregu i pasurive të paluajtshme […]

BIRN hap ekspozitën në nder të gazetarëve të vrarë në luftërat në Ballkan

  Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative do të hapë një ekspozitë dhe do të botojë një libër që përkujton gazetarët dhe punonjësit e medias që u vranë gjatë dhe menjëherë pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.     Një ekspozitë e BIRN, e titulluar “Last Despatches”, do të hapet në Sarajevë më 14 dhjetor […]

Maqedoni e Veriut: Alternativa bëhet pjesë e koalicionit qeveritar

Partia opozitare Alternativa është bërë pjesë e koalicionit qeveritar në RMV. Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës Afrim Gashi kanë nënshkruar marveshjen 9 pikëshe për hyrjen e Alternativës në Qeveri.     Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se kjo marrëveshje paraqet një qëndrueshmëri politike për të hapur negociatat me BE-në, […]

Kosovë-Serbi: Normalizim i marrëdhënieve apo bllokim?

Kosova dhe Serbia në javën e fundit ashpërsuan retorikën politike me akuza dhe kundërakuza dhe ndaluan vizitat e ndërsjella të zyrtarëve qeveritarë, duke bërë kështu që të reagojë edhe Bashkimi Evropian. Autoritetet e Prishtinës i ndaluan hyrjen në Kosovë kreut të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, njëherësh edhe drejtues i […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara