e martë 21 shtator 2021
e martë 21 shtator 2021

Vazhdoi edhe sot situata e rënduar me zjarret në malet e Qarkut të Vlorës, ku vatra më serioze është ajo në gadishullin e Karaburunit.

 

Rreth 500 trupa ushtarake, 50 automjete nga toka, si dhe 3 helikopterë nga ajri po bashkëpunojnë për të shuar zjarret, që rrezikojnë banesat dhe Parkun Kombëtar të Llogarasë.

 

Një numër i konsiderueshëm forcash ushtarake dhe të emergjencave civile punuan edhe sot pa ndërprerje për të shuar zjarret në qarkun e Vlorës.

 

Ata frenuan zjarret, që ishin drejtuar bazës ushtarake të Pashalimanit dhe po përpiqen të frenojnë zjarret mbi Dukat, që janë afruar parkut kombëtar të Llogarasë.

 

Zyrtarët renditin, krahas Vlorës, edhe një seri operacionesh kundër zjarreve me sipërfaqe të mëdha në Fier, Përmet, Ksamil, Mamurras dhe në malin e Tomorrit, ku kanë marrë pjesë disa qindra ushtarë dhe punonjës të tjerë.

 

Për të parandaluar këtë fenomen që përsëritet çdo vit, drejtori i zonave të mbrojtura në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit Zamir Dedej thotë se do të ndalohet dhënia në përdorim të kullotave për barinjtë të cilët i keqpërdorin.

 

“Shumica e zjarreve për ne janë të qëllimshme për përfitim kullotash të cilat kryhen nga barinjtë herë pas here. Asnjë nga kullotat e djegura nuk do të jepet në përdorim nga shteti për barinjtë, ata do të ndalohen t’i përdorin këto kullota”.

 

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha pas mbledhjes së Komitetit të Mbrojtjes Civile, se në këtë periudhë nuk mund të sjellin ndihmë vendet e rajonit, si Kroacia, Greqia e Turqia, që gjithashtu po luftojnë me zjarret, ndërsa forcat shqiptare po bëjnë maksimumin e mundësive të tyre.

 

“Rreziku që ne duam të shmangim me çdo kusht është përhpja e zjarrit drejt Parkut të Llogarasë. Vatrat e tjera i kemi nën kontroll, Kemi patur një situatë jo të lehtë me zjarret që po i afroheshin Bazës së Pashalimanit. Me dhjetra efektivë të Forcave të Armatosura i fikën ato vatra. Kemi patur sukses në Fier, Ksamil, Përmet, në Mamurras. Tani jemi përqëndruar këtu në Karaburun. Kemi edhe 2-3 vatra të tjera në Shqipëri por kjo është më seriozja” – tha për shtypin ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi.

 

Në operacionin për shuarjen e flakëve në Gadishullin e Karaburunit janë rreth 500 forca të ushtrisë, 50 mjete, 3 helikopterë, zjarrfikëse e auto-ambulanca.

 

Fshati Dukat është nën rrezikun e flakëve, të cilat po shtyhen nga era drejt Parkut të Llogarasë, ndërsa forcat dhe mjetet po përpiqen ta shmangin këtë rrezik.

 

Sipas të dhënave zyrtare, fshatin Cukal në Shllak të Vaut të Dejës po ashtu ka rënë zjarr në pemë e shkurre, dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për kontrollin e tij. Një tjetër zjarr u riaktivizua në fshatin Qesorat në Lunxhëri të Gjirokastrës, ku ka shkuar edhe ushtria për të ndihmuar zjarrfikësit.

 

Autoritetet ende nuk kanë dhënë një përshkrim mbi shkallën e dëmeve materiale, që kanë shkaktuar këto zjarre mbi ekonominë e krahinave, ndërsa nuk është regjistruar ndonjë plagosje tek banorët.

 

Jozyrtarisht numërohen qindra hektarë kullota e pyje të djegura, pemë frutore si dhe dëmtime të mëdha mjedisore.

 

Më shumë

Korriku i këtij viti, i treti më i nxehti në histori

Korriku i këtij viti ishte muaji i tretë më i nxehtë në histori. Në këtë përfundim arrijnë shkencëtarët e Shërbimit Europian për Monitorimin e Ndryshimeve Klimatike “Kopernikus”, të cilët paralajmërojnë se çlirimi i gazrave serë po ndryshon në mënyrë të pakthyeshme klimën e planetit tonë.   “Me tendencën e globit për t’u ngrohur, […]

Tre anije “fluturojnë” në Mesdhe

Një foto e tre anijeve turistike në afërsi të Limasolit, Qipro që duket se qëndrojnë pezull në ajër është bërë virale në rrjetet sociale.   Ky fenomen quhet ‘Fata Morgana”, një iluzion optik i shkaktuar nga kushtet e veçanta termike të ajrit që gjenerojnë një ndryshim të përthyerjes së rrezeve të dritës, pra një […]

IGJEUM: Rrezik i lartë zjarresh në Fier dhe Berat

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka paralajmëruar sot se për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin ka rrezik të lartë zjarresh sidomos në qarqet Fier dhe Berat.   Sipas parashikimeve të këtij instituti të rrezikuara janë edhe zona të caktuara në qarqet Tiranë, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. […]

Toka u anua 84 milionë vjet më parë, pastaj korrigjoi veten, pretendimet e studimit të ri

Sipas një studimi të fundit, pretendohet se Toka është anuar rreth 84 milionë vjet më parë e më pas ka korrigjuar veten.   Në kërkimet e tyre, shkencëtarët analizuan lavën paleomagnetike si dhe gurin gëlqeror antik që zbuluan në Itali. Analiza tregoi që korja e Tokës lëvizte rreth 3 gradë çdo një milion […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara