e martë 22 qershor 2021
e martë 22 qershor 2021

 

Në një përgjigje të gjatë ndaj vendimit të njoftuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, ish kryeministri Sali Berisha shprehet “i keqardhur nga vendimi” të cilin ai e konsideron “pa asnjë bazë konkrete”. Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan se “gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresën time, nga as një person, asnjë institucion vendas dhe i huaj për abuzim me fondet publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni”. Ai shton gjithashtu se “gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot – vijon më tej zoti Berisha – nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër”.

 

Ish kryeministri ka ftuar autoritetet amerikane që “të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi”.

 

Ndërsa kujton se prej 8 vitesh nuk është më në pushtet dhe ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion drejtues, zoti Berisha shprehet se ka denoncuar “më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtaret më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri”.

 

Ish kryeministri duket se ngre qartazi dyshime se në vendimin ndaj tij mund të ketë ndikuar multimiliarderi George Soros, kur shkruan në përgjigjen e tij se “kam denoncuar në mediat shqiptare dhe të huaja, duke ditur shumë mirë pozicionin por edhe lidhjet e panumërta të tij, multimiliardierin George Soros, si korruptorin më kryesor të politikanëve të sotëm dhe në gjykimin tim, si një armik të vërtetë të demokracisë në vendin tim”.

 

Zoti Berisha e mbyll reagimin e tij duke theksuar se “duhet t’ju garantoj se unë ndjehem krenar me të gjitha qëndrimet e mia dhe ju siguroj se ato kanë qenë dhe do të jenë të motivuara vetëm nga interesi publik dhe kombëtar i kombit shqiptar dhe e vërteta”.

 

Nga Partia Demokratike, zyra e Shtypit bëri të ditur se nuk kishte ende ndonjë deklaratë rreth vendimit, i cili vjen vetëm pak javë nga zgjedhjet e 25 Prillit. Zoti Berisha është në listën e deputetëve të ardhshëm të kësaj partie.

 

Para zgjedhjeve, ambasadorja amerikane Yuri Kim, duke ju referuar rastit të ish deputetit Tom Doshi, përsëriti disa herë se personat ndaj të cilëve qeveria amerikane ka marrë vendim për të mos ju lejuar hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara, nuk duhet të jenë pjesë e parlamentit. Zoti Doshi u tërhoq menjëherë pasi ai fitoi mandatin për deputet.

 

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i zotit Berisha në këtë rast, duke qenë se mandati i deputetit është personal.

 

 

Reagimi i plotë

 

 

Pergjigje zotit Antony Blinken, Sekretar i Departamentit te Shtetit te SHBA per vendimin e tij per te ndaluar hyrjen time ne SHBA!

 

Zoti Sekretar!

Nga mediat u njoha me vendimin tuaj te shpallur ne twitter per te ndaluar hyrjen time ne SHBA.

Lidhur me kete vendim dua te shpreh sa vijon.

Gjate 30 viteve ne politike  nuk ka ekzistuar kurre asnje akuze ne adrese time, nga asnje person, asnje institucion vendas apo i huaj per abuzim te fondeve publike dhe çfaredo lloj tjeter korrupsioni.

Shtoj gjithashtu se gjate te gjitha viteve te mia ne pushtet, por dhe deri me sot, familjaret e mi nuk kane perfituar kurre nga fonde dhe asete publike dhe kane zbatuar me rigorozitet te plote ligjet e vendit. Ata deri me sot nuk kane qene kurre nen akuze nga drejtesia shqiptare apo e ndonje vendi tjeter.

Duke shprehur keqardhje per vendimin dhe duke e konsideruar ate pa asnje baze konkrete, ju ftoj te beni publike çdo fakt e dokument qe administrata e juaj, apo kushdo ne bote, mund te disponoje per te argumentuar pretendimin tuaj per mua dhe familjaret e mi.

Gjithashtu gjykoj se nje nder faktoret me kryesore qe qeveria qe une kam drejtuar arriti te anetaresoje Shqiperine ne NATO, te firmose Marrveshjen e Stabilizimit Asociimit dhe liberalizoje vizat me Bashkimin Europian, te arrije nivelin e pragut te MCAC, dhe te terheqe investime madhore, por edhe te shenoje kulme ne marredheniet midis dy vendeve tona mike, ka qene lufta e suksesshme kunder korrupsionit dhe krimit te organizuar e dokumentuar kjo dhe ne raporte dhe vleresime te qeverise se SHBA.

Gjate 30 viteve ne politike une kam patur ne SHBA, dhe kam me shume se ne cdo vend tjeter, miq te medhenj, me te cilet ndihem gjithnje krenar. Mirenjohja ime mbetet e pakufishme per gjithçka vendi i juaj i madh ka bere per lirine e kombit tim.

Po keshtu jam perpjekur dhe nuk kam nguruar kurre te marr cdo vendim ne interes te perbashket midis dy vendeve.

Dua te theksoj se vendimi juaj nuk mund te lekunde kurre admirimin tim per vendin, kombin e madh e mik amerikan dhe miqte e mi ne SHBA.

Zoti sekretar!

Une kam 8 vite qe kam dhene doreheqjen nga çdo funksion drejtues dhe jam larguar nga pushteti por kam qendruar i vendosur ne mbrojtjen e interesit publik dhe kombetar te shqiptareve, ashtu siç i vleresoj une ato.

Une kam denoncuar me shume se kushdo tjeter ne kete vend publikisht brenda dhe jashte vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e droges, lidhjet e tyre me zyrtaret me te larte shqiptare, por edhe te huaj, korrupsionin e papermbajtur qeveritar ne Shqiperi.

Po keshtu une kam mbeshtetur reformen ne drejtesi e te gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt te  ndermarre ne kundershtim flagrant me amendamentet kushtetuese per vendosjen e kontrollit te plote politik mbi sistemin e drejtesise.

Une gjithashtu kam denoncuar ne mediat shqiptare dhe te huaja, duke ditur shume mire pozicionin por edhe lidhjet e panumerta te tij, multimiliardierin  George Soros, si korruptorin me kryesor te politikaneve te sotem dhe ne gjykimin tim, si nje armik te vertete te demokracise ne vendin tim.

Perveç kesaj kam denoncuar i pari dhe me forcen me te madhe, publikisht dhe vetem publikisht, projektin e ndryshimit te Kufijve te Kosoves, i pregatiur nga fondacioni i George Sorosit ne Beograd, per çka dhe dhe jam kercenuar per pasoja, por natyrsht nuk jam impresionuar.

Se fundi, duke mos pretenduar kurre se une jam i pagabueshem, duhet t’ju garantoj se une ndjehem krenar me te gjitha qendrimet e mia dhe ju siguroj se ato kane qene dhe do te jene te motivuara vetem nga interesi publik dhe kombetar i kombit shqiptar dhe e verteta, te cilat une i kam mbrojtur njelloj si sot edhe ne kohen kur te rinjte shqiptare ekzekutoheshin ne kufi per realizimin e endrres tyre amerikane.

Sinqerisht Sali Berisha!

 

Më shumë

Basha rikonfirmohet bindshëm në krye të PD

Kryetari aktual Lulzim Basha, u rikonfirmua për një mandat të tretë në drejtimin e Partisë Demokratike, pas votimit të zhvilluar të dielën në të gjithë degët e kësaj force politike. Ndonëse rezultati nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, të dhënat paraprake flasin për një fitore bindëse të zotit Basha me afro 81 përqind të votive. […]

VOA: Meta sulmon DASH pas vendimit ndaj Berishës

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta, reagoi sot me tone të ashpra ndaj vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar hyjren në territorin e Shteteve të Bashkuara ish presidentin dhe ish kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe familjes së tij, për shkak të “korrupsionit në shkallë të lartë”. Në një postim në Facebook, […]

Shkodër, Ditët e Qëndresës ndaj regjimit komunist

Ditët e Qëndresës nisën të enjten me homazhe në memorialin e ngritur në qytetin e Shkodrës kushtuar mijëra ish të burgosurve politikë dhe atyre që u vranë nga regjimi komunist për shkak të bindjeve të tyre politike. Ditët e Qëndresës do të vazhdojnë gjatë dy ditëve te ardhshme me përkujtimin erevoltës së të burgosurve […]

Burg dhe sekuestrim pasurie për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla

Ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla dënohet me burg për korrupsion. Llalla u shpall fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.   Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi të enjten, (20.05) ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla, me 2 vite burg dhe 5 vite […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara