e diel 17 tetor 2021
e diel 17 tetor 2021

 

Kur kanë mbetur për t’u numëruar dhe pak kuti nga votimet e së dielës për parlamentin e ri, rezultati konfirmon fitoren e tretë radhazi të Partinë socialiste të Kryeministrit Edi Rama.

 

Kjo forcë politike ka siguruar deri më tani 74 mandate, ndërsa Partia Demokratike dhe koalicioni që ajo udhëhoqi 59 mandate.

 

Vetëm 4 vende të tjera për Lëvizjen Socialiste për Integrim, forcën tjetër të opozitës.

 

Diferenca mes dy krahëve është prej 11 mandatesh, por ajo mund te shkojë dhe përtej, pasi Partia Socialdemokrate e cila mori në mënyrë surprizë 3 mandate, ka shprehur publikisht gatishmërinë për të bashkëpunuar me socialistët.

 

Harta e 12 qarqeve të vendit, sheh veriun e Shqipërisë të kontrolluar nga opozita, e cila kryeson në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Lezhës si dhe Dibrës e cila kaloi në anë e saj mbrëmjen e së hënës.

 

E gjithë pjesa tjetër, në 8 qarqe, për momentin rezulton të jetë fituar nga socialistët që kanë marrë më shumë deputetë.

 

Presidenti Ilir Meta tha sot se ndjehej “i lumtur, që 25 prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit. Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen – institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 prillit”, – u shpreh Meta.

 

Socialistët shpallën fitoren të martën në mbrëmje, ndërsa u mblodhën duke festuar në Sheshin Skënderbej.

 

Për kryetarin socialist Rama “kjo ishte fitorja më e vështirë, më e madhja dhe më e bukura e Partinë Socialiste”, ndërsa ju drejtua kryetarit demokrat Lulzim Basha që të pranonte “humbjen me dinjitet dhe bindjen se nuk bëre dot çfarë deshe, por bëre gjithë sa munde”.

 

Rama i kushtoi më pas pjesën më të madhe të fjalës së tij, nevojës për bashkëpunim mes palëve, për të lënë pas shpine traditën e konfliktit të ashpër politik.

 

“Me apo pa Bashën, ne e kemi të qartë se opozita është PD dhe fitorja jonë e madhe dhe e thellë e bën më të madh detyrimin për t’i shtrirë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë pa asnjë kufizim” – tha Rama.

 

Por pak pas tij, përgjigja që erdhi nga kryetari demokrat Lulzim Basha ishte ajo e akuzave të rënda ndaj procesit zgjedhor të 25 Prillit.

 

Bashkimi Europian i kërkoi sot forcave politike shqiptare që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve.

 

“Çdo parregullsi e pretenduar duhet të sillet me vëmendje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve të tjera kompetente, dhe rastet duhet të hetohen siç duhet, përfshirë blerjen e votës”, saktësonte deklarata e përbashkët e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell dhe Komisionerit për Zgjerimin Oliver Harvelyi.

 

Mbrëmë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se “Shtetet e Bashkuara presin nga kandidatët dhe udhëheqësit e Shqipërisë që të pranojnë vendimin e votuesve kur të përfundojë numërimi i votave.

 

Basha flet për masakër elektorale, por zëra nga PD kërkojnë largimin e tij

 

Kryetari demokrat Lulzim Basha u shfaq sot në mbrëmje duke denoncuar shkelje të rënda sipas tij të garës zgjedhore. Me në sfond një grup të rinjsh të vendosur në shkallët hyrëse të selisë së Partisë Demokratike dhe i shoqëruar nga një grup kandidatësh për deputetë, që morën pjesë në garën e së dielës, Basha tha se “ne luftuam për demokracinë. Unë besova se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë ne do fitonim dhe do ti kthenim Shqipërisë demokracinë. Por këtë herë kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale”, u shpreh Basha.

 

Kryetari demokrat foli për “dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale”.

 

Partia Demokratike i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë një kopje të të gjithë dokumentacionit zgjedhor, përfshi dhe pamjet filmike në qendrat e votimit dhe ato në qendrat e numërimit të votive.

 

Basha deklaroi se beteja e tij në mbrojtje të demokracisë nuk do të rreshtë. “Ne do luftojmë për ju! Do luftojmë për qindra mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk ju numërua vota. Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort. Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush dhe para Shqipërisë”, u shpreh ai duke ju drejtuar qytetarëve .

Më shumë

(EMRAT) Shikoni si janë ndarë në komisionet parlamentare deputetët e mazhorancës dhe opozitës

Parlamenti tashmë ka përfunduar edhe ndarjen e deputetëve nëpër komisione parlamentare. Në fakt, ky veprim duhet të kishte përfunduar javën e kaluar, por u shty prej LSI.   Tashmë komisionet e përhershme janë plotësuar me deputetë si nga mazhoranca dhe opozita. PS do të ketë shumicën në çdo komision kurse PD përfshin tre […]

Zbutet Meta, dekreton Ramën Kryeministër

Presidenti Ilir Meta para zgjedhjeve të 25 prillit ka deklarur se nuk do t’ia japë fimrën për kryeministër Edi Ramës, edhe nëse ky i fundit merr mandatin e tretë, pa cënuar zgjedhjet e lira. Por sot Ilir Meta ka ndryshuar qëndrim, është zbutur dhe ka hedhur firmën për Ramën si kryeministër në mandatin e […]

Presidenti Meta i shtrin dorën e bashkëpunimit Kryetares së re të Parlamentit

Presidenti Ilir Meta në një reagim pas votimit të Lindita Nikollës si Kryetare e Kuvendit, i shprehu kësaj të fundit urimet dhe e cilësoi ditën e sotme si fundin e dy viteve më të errëta të historisë parlamentare në vendin tonë.   “Urime Kryetares të zgjedhur sot nga Kuvendi i ri i konstituar i […]

Nën thirrjet Basha IK, Berisha hyn në Parlament: Ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama-Basha

    Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur mëngjezin e kësaj të premte në Kuvend, për të marrë pjesë në seancën e parë të legjislaturës së 10.   Ai është pritur me ovacione nga mbështetës të shumtë demokratë duke brohoritur Basha IK dhe ndërkohë ka qenë i shoqëruar nga deputetët e zgjedhur Flamur Noka […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara