e premte 19 gusht 2022
e premte 19 gusht 2022

 

Në muajin e 10 të pandemisë së COVID- 19 në Shqipëri janë formuluar disa analiza dhe studime mbi rolin e gazetarëve si dhe mbi përballjen e tyre me institucionet për sigurimin e informacioneve të vlefshme për publikun. Studiues dhe gazetarë konstatojnë se ka patur mungesë transparence në mjaft raste nga institucionet në sigurimin i informacionit, gjë që mund të ketë sjellë pasoja, siç thonë ata, në shëndetin e qytetarëve. Ndërkohë që edhe sektori mediatik, si të gjithë sektorët e tjerë mori goditje financiare nga pandemia, dhe për pasojë kjo solli varfërimin e metejshëm të medias.

 

Sektori mediatik në Shqipëri po përballet që prej fillimit të pandemisë në Mars të këtij viti me vështirësi të shumta që lidhen me të ardhurat, raportimin dhe informacionin. Prej disa vitesh ai ka hyrë në një spirale krize finaciare, për shkak të rënies së buxhetit të reklamave. Pandemia e COVID-19 e thelloi më tej atë.

 

“Është çështja e varfërimit të medias, është rritur kryesisht gjatë dy muajve të fundit edhe efekti mbi pagat e pamarra të gazetarëve dhe punëonjësve të medias. Dhe një nga problemet më nevralgjike është ai i prekjes së punonjësve të medias dhe në mënyrë të veçantë të gazetarëve nga Covid 19. Janë mbi 55 punonjës në këtë moment, që janë prekur dhe natyrisht kanë shumfishuar kostot për përballimin e kurimit”- thotë për Zërin e Amerikës Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.

 

Fondacioni Westminstër për Demokraci ka kryer një studim për rolin e medias gjatë pandemisë i cili vërën se në muajt e parë gazetërët e kishin mjaft probleme në marrjen e informacionit . Në përgjithësi sigurimi i tij është sfidë në Shqipëri dhe krizat vetëm sa e përkeqësojnë këtë cështje thotë për Zërin e Amerikës përfaqësuesi i këtij fondacioni Sokol Haxhiu.

 

“Informacioni në kulmin e pandemisë në shumicën e rasteve ishte i monopoliziuar. Kemi një lloj komunikimi masiv përmes medias sociale. Sipas monitorimit që ju bë përdorimit të saj doli që përshembull Kryeministri vetëm në një muaj ka lëshuar më shumë se 400 mesazhe përmes Facebook-ut. Ishte një komunikim shumë intensiv por për shumë njerëz ishte dhe çoroditës në të njëjtën kohë”- u shpreh Sokol Haxhiu, përfaqësues i Fondacionit Westminstër për Demokraci

 

Erli Murati kryeredaktor i gazetës shqiptare, e cila si gjithë media print përjetoi krizën e mbylljes prej një muaji e gjysmë në pranverë, thotë se përballja me institucionet për të marrë inforamcion ka qenë e vështirë.

 

“Ka qenë një situatë e vështirë, një marrëdhënie e vështirë me herët që vazhdon të jetë e tillë edhe tani, kryesisht me institucionet shtetërore. Ka një lloj stepje ose një lloj mungese vullneti ,nga ana e institucioneve zyrtare, për të dhënë informacion”- thotë për Zërin e Amerikës Erli Murati Kryeredaktor i Gazetës Shqiptare.

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vëren se një pjesë e mediave ishin aktive me raportime nga terreni në gjithë vendin, ndërsa disa të tjera sipas tij, vijuan të raportojnë sipas deklaratave zyrtare, dhe mjaft shqetësime nuk morën përgjigje.

 

“ Do të duhej të kishim shfaqjen e një raportimi të thellë për mënyrën se si administrohen fondet publike të përcaktuara dhe të programuara për pandeminë. Nga ana tjetër ,se si duhej të ndryshonte struktura e administratës shëndetësore publike, sepse Shqipëria ka një problem serioz për centralizimin e shërbimit andipandemik në Shqipëri. Media fatkeqësisht këtë nuk e solli ,por e referoi si çështje kur e sollën ekspertët e shëndetësisë publike”- thotë Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.

 

Pandemia nxori në pah domosdoshmërinë e një informacioni të nevojshëm për shëndetin e qytetarëve. Por a u dha ai nga autoritetet në kohën e duhur. Klodiana Kapo e Faktoje.al thotë se ka patur pengesa edhe pse ligji për Parandalimin e Infeksioneve dhe Sëmundjeve Infektive parashikon detyrimin e institucioneve zyrtare për përgatitjen e një strategjie komunikimi, ku informacioni të jetë i qartë dhe koherent per publikun.

 

“Vetë Faktoje.al ka bërë 57 kërkesa nga të cilat vetëm 18 morën përgjigje. Dhe për pjesën tjetër nuk kemi përgjigje. Janë informacione që janë shumë të rëndësishme për qytetarët, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë. Dhe në momentin që nuk jepen apo ka një kakofoni informacionesh, sigurisht që kjo dëmton informimin, cilësinë dhe jetesën e qytetarëve, sepse shkakton panik dhe keqinformim”- shprehet për Zërin e Amerikës Klodiana Kapo, drejtuese e “Faktoje.al”

 

Mjaft qytetarë kanë qenë të paqartë thotë gazetari Erli Murati, dhe nuk dinin ku duhet shkuar dhe cfarë duhet bërë në këtë krizë pandemike. Autoritetet nuk kanë transmetuar informacion të vërtetë dhe kjo ka sjellë sipas tij mjaft ndërlikime ne jetën dhe shëndetin e tyre.

 

“Beteja kryesore publike përsa i përket pandemisë ka qenë ajo me propagandën, pra nuk ka qenë beteja për të vërtetën por beteja e gazetarëve me autoritetet shtetërore, për të marrë informacion dhe për ta përcjellë tek publiku. Mungesa e informacionit mund të ketë dëtmuar shëndetin e njerëzve”- vijon Erli Murati Kryeredaktor i “Gazetës Shqiptare”.

 

Në studimin e Fondacionit Westminstër për Demokraci nënvizohet nevoja e mbështetjes së informacionit me statistika. Në Shqipëri ka problem me statistikat thotë Sokol Haxhiu, dhe se ky është një tipar edhe i periudhës së pandemisë. Ndaj dhe studimi ofron disa rekomandime.

 

“Disa nga rekomandimet që ne kemi bërë në fund të këtij studimi kanë të bëjnë me mundësinë për mbështetje të gazetarëve për të verifikuar lajmet, për të patur më shumë mundësi për të investiguar çështjet thelbësore, për të bërë atë që ne pamë, se ishte shumë e domosdoshme, për të sjellë rolin e ekpertëve në mbrojtje të interesit publik, për të sjellë besueshmëri tek publiku”- vijon Sokol Haxhiu përfaqësues i Fondacionit Westminstër për Demokraci.

 

Krizat e çfarëdo natyre qofshin nuk i zgjidhin problemet por vetëm i thellojnë ato. Spektri mediatik i zhytur prej vitesh në probleme financiare, apo në përpjekjë për të ruajtur pavarësinë nga presionet politike, u shfaq gjatë pandemisë së COVID-19 në ditët e tij më të vështira. Por ballafaqimi me autoritetet zyrtare për marrjen e informacionit përbën një nga problemet më të mëdha në menaxhimin e pandemisë në Shqipëri, ku roli i medias padyshim është thelbësor. VOA

 

Më shumë

Kuvendi i Berishës, shkarkon Bashën

Partia Demokratike ndodhet në një krizë të thellë ekzistenciale. Shenjat e krizës janë të dukshme. PD është sot e përçarë keqazi.   Demokratët janë rrjeshtuar në dy grupime kundërshtare: njëri me mbështetës të Sali Berishës, ish-liderit historik të PD, të shpallur “Person non grata” nga qeveria amerikane për “vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në […]

“Non-grata”, Berisha shkon me ‘Foltoren’ në SHBA

Të dielën e 5 dhjetorit ora 12:00 me orën lokale, do të zhvillohet ‘Foltorja’ e ish-kryeministrit Sali Berisha me shqiptarët e Amerikës. Njoftimin e ka bërë publik lideri historik i PD përmes një postimi në Facebook. Organizimi është bërë nga diaspora shqiptare në SHBA.   Takimi do të zhvillohet me video-konferencë njësoj sikur të […]

Shqipëri – Kosovë, pa ndalesa në kufi!

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë që po mbahet sot në Elbasan, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi shpjegoi tre marrëveshjet e arritura. Tre marrëveshjet synojnë lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në të dy anët e kufirit. “Dua ta filloj nga kjo e fundit që ka të bëjë me lejet e […]

Berisha për Zërin e Amerikës: Unë do marr PD-në, nuk bëj parti tjetër

Ish kryeministri dhe drejtuesi i Partisë Demokratike, Sali Berisha përjashton në mënyrë kategorike, krijimin e një force të re politike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai shprehet i bindur se kuvendi i thirrur prej tij dhe mbështetësve të tij më 11 dhjetor do të shënojë një rithemelim të kësaj partie të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara