e shtunë 4 dhjetor 2021
e shtunë 4 dhjetor 2021

 

Në qytetin e ndarë etnikisht të Mostarit, në Bosnjë e Hercegovinë, u mbajtën zgjedhjet e para lokale pas 12 vjetësh. Partitë dominuese boshnjake dhe kroate fituan shumicën e votave në zgjedhjet lokale të Mostarit, tregojnë rezultatet paraprake. Partitë e vogla, përfshirë Bllokun multietnik të Bosnjës, fituan po ashtu ulëse në këshillin e qytetit, të përbërë prej 35 anëtarësh.

 

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 55 për qind.

 

Zgjedhjet u zhvilluan teksa vendi po përballet me rritjen e rasteve të reja me koronavirus, ku kishte shqetësime se kjo gjë do të bëjë që votuesit të mos dalin në zgjedhje.

 

Përfaqësuesi i Lartë i Bosnjë e Hercegovinës, Valentin Inzko, tha se beson se zgjedhjet lokale në Mostar, pavarësisht nga fakti se nuk janë mbajtur për 12 vjet, ishin një “festë e vërtetë e demokracisë”.

 

Tridhjetepesë këshilltarë të qytetit do të zgjidhen sipas rregullave të reja zgjedhore të qytetit të Mostarit. Këta këshilltarë të qytetit më pas do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e ri të qytetit.

 

Qendrat e votimit u hapën orën 07:00 dhe u mbyllën në orën 19:00. Nuk u raportua për incidente që do të mund të dëmtonin procesin zgjedhor.

 

Numri i rasteve të reja me koronavirus dhe vdekjeve nga ky virus në Bosnjë e Hercegovinë është rritur ndjeshëm në javët e fundit dhe autoritetet shëndetësore deri më tani kanë raportuar për 105,000 raste dhe mbi 3,600 të vdekur.

 

Zgjedhjet lokale në Mostar vijnë pasi partitë kryesore boshnjake dhe kroate, në qershor arritën një marrëveshje për statutin e ri të qytetit.

 

Marrëveshja u nënshkrua nga Bakir Izetbegoviq dhe Dragan Çoviq, liderë të Partisë për Veprim Demokratik (SDA) dhe Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ). Marrëveshja u arrit pas negociatave të gjata.

 

Mostari nuk ka mbajtur zgjedhje lokale që prej vitit 2008, pasi autoritetet dështuan që të zbatonin një vendim të vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, ku thuhej se struktura e ndarjes së pushtetit të qytetit ishte jokushtetuese dhe duhej të bëheshin reforma.

 

Lubo Besiq nga HDZ ka qenë kryetar i Mostarit, pa mandat, pasi mandati i skadoi më 2013.

 

Tetorin e kaluar, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dënoi Bosnjën për dështimin që të ndryshoi Ligjin e zgjedhjeve dhe të lejojë që zgjedhjet lokale të mbaheshin në Mostar.

 

Mostari ka një popullsi prej mbi 100,000 banorësh. Në perëndim të qytetit jetojnë kryesisht kroatët e Bosnjës, ndërkaq në lindje myslimanët bosnjakë.

 

Boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës u bën bashkë kundër serbëve etnikë gjatë luftës së Bosnjës më 1992-95. Por, dy komunitetet po ashtu kanë zhvilluar beteja të ashpra në Mostar dhe në pjesë të tjera.

 

Qyteti i Mostarit reflekton situatën e tensionuar në mbarë vendin pas Marrëveshjes së Dejtonit të arritur më 1995, e cila e la Bosnjën të ndarë në dy rajone autonome – Federatën kroate boshnjake dhe Republikën Srpska të banuar me serbë etnikë – që bashkohen me një qeveri të dobët qendrore në Sarajevë.

 

Me qëllim që të shmangin rrezikun e infektimit, votuesve në qendrat e votimit iu kërkua që të mbajnë distancë fizike, të vendosin maska dhe të lajnë duart. Po ashtu, vendvotimet u dezinfektuan vazhdimisht.

 

Zgjedhjet lokale në mbarë vendin u mbajtën më 15 nëntor, ku partitë opozitare fituan dy nga qytetet më të mëdha në Bosnjë e Hercegovinë.

 

Rezultatet zgjedhore ishin goditje për nacionalistët në pushtet në mes të një vale të pakënaqësive të mëdha lidhur me menaxhimin e pandemisë së koronavirusit. REL

 

 

Më shumë

Homazhi për Ratko Mlladiçin ngjall frikë në qytetin boshnjak

Një pikturë murale e pikturuar rishtazi e kreut ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç dhe një sulm me armë në xhaminë lokale kanë trembur boshnjakët që u rikthyen në qytetin e Focas pasi u larguan që aty për shkak të mizorive të kohës së luftës në vitet 1990.   Pranë shkollës dhe ndërtesës së […]

25 vjet nga masakra e Srebrenicës

25 vjet më parë, rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në masakrën më të madhe të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se 1 mijë burra dhe djem boshnjakë që vdiqën gjatë rrethimit të vitit 1995 konsiderohen ende të zhdukur. Më shumë se […]

Bosnjë-Hercegovina mbetet e përçarë edhe 25 vjet pas Dejtonit

Këshilli i Sigurimit të OKB mbajti këtë javë një debat virtual për Bosnjë-Hercegovinën. Përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko, foli mbi procesin e zbatimit të paqes në BH në periudhën 16 tetor – 15 prill.   Duke folur për gjendjen e përgjithshme politike Valentin Inzko, thotë se liderët politikë dhe institucionalë në BH kanë treguar gatishmëri […]

Ura e Mostarit ndriçohet me ngjyrat e flamurit turk

Me rastin e 100-vjetorit të hapjes së Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë ura historike e Mostarit, që është njëra prej simboleve më të rëndësishme e Bosnjë-Hercegovinës, u ndriçua me flamurin turk.   Me rastin e 100-vjetorit të hapjes së Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë ura historike e Mostarit, që është njëra prej […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara